Moti i keq ka përfshirë Italinë, Greqinë dhe Turqinë

02.02.2015 16:37

Një fundjavë e vërtetë dimri po mbretëron në Itali, ku ka goditur rëndë qendrën dhe jugun e vendit dhe janë regjistruar reshje të dendura dhe përmbytje...

Por, sipas meteorologëve, në ditët në vijim do të ketë edhe reshje dëbore, ku temperaturat do të ulen edhe më shumë. Në veri dhe në qendër të Italisë reshjet e dëborës do të shoqërohen edhe me erëra të forta. 

Edhe në verilindje të Greqisë reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje, duke detyruar me qindra banorë që të braktisin shtëpitë e tyre.

Brenda pak orësh kanë dalë nga shtrati të paktën 4 lumenj, ndërsa një urë e shekullit 18 është shkatërruar plotësisht. Autoritetet greke raportojnë se deri tani nuk rezultojnë të plagosur.

Kryeministri, Aleksis Tsipras, po monitoron situatën dhe ka dërguar ekipe ekspertësh që të vlerësojnë dëmet dhe të menaxhojnë situatën.

Edhe veriperëndimi i Turqisë është nën trysninë e reshjeve të dendura dhe erërave të forta që arrijnë një shpejtësi prej 100 km në orë. Pikërisht për këtë arsye janë pezulluar trafiku ajror dhe ai detar, duke detyruar kompaninë ajrore “Turkish Airline” që të anulojë 229 fluturime. Lidhjet detare mes Stambollit, Bosforit, Bursës, si dhe me brigjet e Egjeut janë pezulluar.

Moti i keq do të vazhdojë deri të martën sipas parashikimeve të meteorologëve.