Botë

Sulmi ndaj institucioneve në Brazil, 46 të plagosur, rreth 1.200 persona të arrestuar

09.01.2023 16:38

Të paktën 46 persona kanë mbetur të plagosur pas trazirave të dhunshme në Brazil...

Të paktën 46 persona kanë mbetur të plagosur pas trazirave të dhunshme në Brazil, ku mbështetës të ish-presidentit Jair Bolsonaro sulmuan institucionet e larta,  gjashtë prej tyre janë në gjendje serioze. Policia përdori gaz lotsjellës, por nuk arriti t’i zmbrapsë demonstruesit. Rreth 1.200 njerëz janë arrestuar pas evakuimit të kampit që ishte ngritur për më shumë se dy muaj përpara selisë së ushtrisë në Brasilia. Presidenti aktual, Luiz Inácio Lula da Silva, i cili e quajti dhunën “akte vandalësh dhe fashistësh” dhe akuzoi ish-presidentin Bolsonaro, si shkaktar të kaosit.
 
“Vandalët thyen dhe shkatërruan gjithçka. Të gjithë e dinë se ekziston një fjalim i vjetër i ish-presidentit  Bolsonaro që e stimulon këtë. Do të përpiqemi të zbulojmë se kush e financoi këtë, kush pagoi autobusët, kush pagoi akomodimin, kush paguante skarë çdo ditë dhe të gjithë këta njerëz do të paguajnë. Ata dhe ata që janë përgjegjës në qeverinë federale, ata do të ndëshkohen.”, - deklaroi presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva.
 
“Është revoltë. Shikoni çfarë bënë vandalët. Është kaos. Janë shkatërruar veprat e artit që janë trashëgimi e vendit. Është e pabesueshme ajo që është bërë këtu.  Ata janë kriminelë që duhet të trajtohen si kriminelë.", - u shpreh zëdhënësi i presidentit, Paulo Pimenta.
 
Presidenti i ShBA, Joe Biden e përshkroi dhunën si “të egër”, ndërsa kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak e denoncoi atë si një sulm ndaj demokracisë. Bolsonaro humbi zgjedhjet presidenciale në tetor. Pas kësaj humbjeje, ai pretendoi për parregullsi në sistemin e votimit, pretendime të pabazuara në prova. Shumë nga mbështetësit e tij kanë refuzuar të pranojnë rezultatin. Lula fajësoi Bolsonaron për “inkurajimin e tyre”, por Bolsonaro u përgjigj duke hedhur poshtë akuzat, por ai tha se ajo që ndodhi kishte shkuar përtej protestës demokratike.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU