Botë

Serbët e BIH dekorojnë Putinin, Stano: Vendimi është për keqardhje dhe i gabuar

09.01.2023 16:58

Bashkimi Evropian kritikoi ashpër vendimin e Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës dhe autoriteteve...

Bashkimi Evropian kritikoi ashpër vendimin e Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës dhe autoriteteve të saj për t'i dhënë presidentit Putin “Urdhërin e Republikës Sërpska”. Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano, dënoi festimin e 9 janarit si festë kombëtare të Republikës Sërpska.  Stano në konferencën për shtyp  në Bruksel tha se Milorad Dodik "i njeh shumë mirë pritshmëritë e BE-së dhe vendeve anëtare të saj", veçanërisht tani që Bosnja dhe Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
 
“Në Bashkimin Evropian nuk ka vend për nderimin dhe shpërblimin e politikanëve që urdhërojnë shkatërrimin e një vendi fqinj dhe vrasjen e popullit të tij. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ky vendim i udhëheqjes së Republikës Sërpska është për keqardhje dhe i gabuar.”, - deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
 
Stano ka kujtuar se presidenti rus është drejtpërdrejt përgjegjës për agresionin e paligjshëm në Ukrainë dhe se civilët ukrainas po vriten dhe po shkatërrohet infrastruktura civile ukrainase. Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, ndau çmimin me 8 janar duke falënderuar Putinin për "kujdesin patriotik dhe dashurinë ndaj serbëve".
 
REXHEP QAMILI