Maqedoni

Darka joformale në Tiranë, Aliti: Për sukses, duhen qëndrime të unifikuara

09.01.2023 17:13

Analisti politik Faton Aliti, darkën joformale të liderëve të partive politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut..

Analisti politik Faton Aliti, darkën joformale të liderëve të partive politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut me kryeministrin shqiptar Edi Rama, e sheh si vazhdimësi e takimit të fundit të 2017 ku u nënshkrua deklarata prej 7 pikëve. Sipas tij aktualisht çështjet për diskutim në Tiranë janë të mëdha e kanë të bëjnë me perspektivat integruese, ndryshimet kushtetuese dhe mbështetja e tyre nga partitë shqiptare e padyshim situatën në rajon.
 
“Jemi në një periudhë të rëndësishme të zhvillimeve rajonale, tensionet Kosovë – Serbi, ndryshimet Kushtetuese te ne, Maqedonia dhe Shqipëria ende janë në një paket, ishin në paket për NATO-n, tash janë për anëtarësim në BE. Mendoj se kryeministri Rama i fton që t’i japë pikëpamjet e veta, preferencat e veta lidhur me këto zhvillime, që mendoj se është shumë mirë. Dhe si faktor rajonal shqiptar politik me qëndrime sa më të unifikuara, besoj se edhe sukseset do të jenë më të mira.”, - theksoi analisti politik, Faton Aliti.
 
Refuzimi i Kasamit të ulet me Ahmetin, Aliti: Humbi shansin të argumentojë qëndrimet
 
Qëndrimin e  Lëvizjes “Besa” se nuk pranojnë të ulen në tavolinë me liderin e BDI-së, Aliti e vlerëson si papjekuri politike. 
 
“Është papjekuri politike. Do të kishte gjasë t’i shprehë edhe në mënyrë më të afërt e më të detajuar mospajtimet e veta, qoftë me Ali Ahmetin qoftë me kryeministrin e Shqipërisë ose me të tjerët. Ndoshta dhe do t’i qartësonte më tepër pozicionet e veta dhe po që se do të kishte argument më të forta do të ndryshojë qasjen e  tyre në raport me partitë politike shqiptare.”, - u shpreh analisti politik, Faton Aliti.
 
Sipas tij, ftesa vjen nga institucioni Kryeministër dhe mospjesëmarrja është dështim në vetvete.  
 
SANIJE DURAKU