Maqedoni
Vagoni del nga shinat, komisioni i posaçëm heton shkaqet e aksidentit
09.01.2023 17:38
Është normalizuar komunikacioni në linjën hekurudhore Veles- Shkup, e cila është ndërprerë mëngjesin e sotëm që nga ora 7...

Është normalizuar komunikacioni në linjën hekurudhore Veles- Shkup, e cila është ndërprerë mëngjesin e sotëm që nga ora 7, për shkak të rrëshqitjes së një vagoni të trenit të udhëtarëve që qarkullonte në linjën Gjevgjeli - Shkup në afërsi të “Kadina Reka”. Siç kanë njoftuar nga Hekurudhat e Maqedonisë, në momentin e incidentit në tren kanë qenë 150 pasagjerë, të cilët janë transferuar në një tren tjetër dhe kanë mbërritur në Shkup në orën 08:35. Nga incidenti nuk ka pasagjerë të lënduar.
“Kemi dërguar gjitha informacionet e nevojshme si dhe të dhënat e pasagjerëve dhe tani presim fillimin e hetimeve. Ekziston një komision i posaçëm, ndonëse është e vështirë të përcaktohen arsyet e incidentit, ndryshe nga trafiku rrugor, këtu është më e vështirë të përcaktohet vetë shkaku i aksidentit, megjithatë ekipet e ekspertëve do t'i përcaktojnë arsyet.”, - u shpreh ndihmës drejtori i komunikacionit pranë hekurudhave të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Markov.
Pas disa orësh ndalesa, qarkullimi hekurudhor në këtë linjë po funksionon normalisht. Arsyet e ngjarjes së jashtëzakonshme do të shqyrtohen nga një Komision i përbërë nga anëtarët e Hekurudhave të Maqedonisë dhe Ekipet. Hetimi do të zgjasë disa ditë.
GAZMEND REXHEPI
