Aksidentet rrugore, AMS përcakton shumën minimale për dëmtimet
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve....

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, përcaktoi vlerat minimale që shoqëritë e sigurimit duhet të paguajnë për invaliditetin e përhershëm të mbuluar nga sigurimi. Nëpërmjet vlerave minimale të përcaktuara të dëmshpërblimit për të gjitha llojet e dëmtimeve që shkaktojnë paaftësi apo invaliditet të përhershëm, AMS-ja e ka ngritur nivelin e mbrojtjes për më shumë se 650,000 persona përdorin sigurimin në rast aksidentesh.
Sigurimi nga aksidentet është klasa më masive e sigurimeve vullnetare, për të cilën qindra mijëra qytetarë paguajnë sigurimin kolektiv. Sipas të dhënave të dorëzuara nga shoqëritë që shesin këtë lloj sigurimi, qytetarët dhe kompanitë kanë investuar 8 milionë euro në këtë klasë të sigurimit për nëntë muajt e parë të vitit 2022.
Risitë që rrisin nivelin e mbrojtjes së të siguruarve gjenden në Tabelën e njësuar për përcaktimin e përqindjes së invaliditetit së përhershëm si pasojë e një aksidenti.
Që nga fillimi i këtij viti, kjo tabelë e unifikuar përdoret nga të gjitha kompanitë e sigurimit.
Vendosja e një Tabele të Njësuar të Invaliditetit është si rezultat i dobësive që AMS konstatoi në funksionimin e sistemit. Konkretisht, nga analiza e tregut të sigurimeve, u konstatua se në mesin e kompanive të ndryshme të sigurimeve ka përqindje të ndryshme të invaliditetit për të njëjtin dëmtim ose për dëmtime të ngjashme të përcaktuara në tabelat e aftësisë së kufizuar që janë përdorur deri në fund të vitit 2022.
Në raste të tilla, krahasimi i primit dhe i shumës së siguruar, pa ditur përqindjet për invaliditetin në tabelë, nuk mund të çojë në zgjedhjen e mbulimit më të përshtatshëm të sigurimit.
Tabela e re është pjesë e Kushteve të përgjithshme për sigurimin e personave nga pasojat e aksidentit dhe është e aksesueshme për të gjithë të siguruarit potencialë. (Safet Ademi, TVM2)
