Tensionet në Kosovë, takim trepalësh ShBA - NATO - BE
I dërguar i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak....

I dërguar i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, gjeneral Mireca Geoana dhe i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, zhvilluan një takim trepalësh në lidhje me situatën e krijuar së fundmi në Kosovë, ku tensionet e muajit të kaluar arritën kulmin me bllokimin e rrugëve nga ana e serbëve.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Lajçak sqaron se në takim u diskutua edhe për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Një reagim zyrtar është bërë edhe nga NATO, ku bëhet me dije se bisedimet e së hënës ishin pjesë e konsultimeve të rregullta për situatën në Kosovë dhe zhvillimet në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor. Geoana theksoi përpjekjet intensive të kryera nga aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian për të zbutur tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Ai gjithashtu nënvizoi mbështetjen e ofruar nga KFOR dhe EULEX në largimin e barrikadave, të cilat kanë ndihmuar në rivendosjen e plotë të lirisë së lëvizjes në mbarë Kosovën.
Për 20 ditë me radhë, dhjetorin e vitit të kaluar, grupe serbësh lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb që sulmoi zyrtarët e KShZ-së e që tani gjendet në arrest shtëpiak.
