Maqedoni

Gostivar, USAID investon në komunë

02.02.2015 17:20

Në kuadër të projektit të USAID-it për zgjerim të bizneseve të vogla, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dhe drejtori i projektit, Carl Larkins...

Në kuadër të projektit të USAID-it për zgjerim të bizneseve të vogla, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dhe drejtori i projektit, Carl Larkins, nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi, me çka i hapet rruga realizimit të këtij projekti edhe në Komunën e Gostivarit.
 
Me këtë projekt do të bëhet pajisja dhe avancimi i fushës për ngritje dhe fushës për hedhje me parashutë, që do të ndërtohen në territorin e fshatit Çegran.
 
Pas nënshkrimit të memorandumit për mirëkuptim, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, shprehu mirënjohje dhe falënderim ndaj USAID-it, qeverisë dhe popullit amerikan, si dhe qeverisë dhe popullit zviceran për mbështetjen financiare në realizimin e këtij projekti edhe në Komunën e Gostivarit.
 
Bejta njoftoi se inaugurimi i projektit do të bëhet në ditën e Komunës së Gostivarit, më 29 qershor, ku dhe do të organizohet një garë e hapur mes adhuruesve të këtij sporti.
 
Nga ana tjetër, drejtori i projektit, Carl Larkins, tha se projekti është paramenduar për të fuqizuar kapacitetet e sektorit privat për zhvillim ekonomik rajonal dhe krijim të vendeve të punës brenda rajoneve të përzgjedhura të Maqedonisë.
 
“Jemi këtu për të paralajmëruar iniciativën për “paraglajding” në Komunën e Gostivarit. Projekti përkrah përgatitjen teknike për vendet e fluturimit dhe zbritjes, si dhe teknologjinë e nevojshme për zhvillimin e këtij sporti”- deklaroi Larkins.
 
Të theksojmë se në Gostivar ekziston një klub për “paraglajding”, i quajtur “Kondor”, i cili ka një nivel bazë të aktiviteteve në këtë drejtim.
 
LULZIM HAZIRI