Botë
Evakuime në Kaliforni për shkak të stuhive të fuqishme
10.01.2023 14:40
Mijëra qytetarë të Kalifornisë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre si pasojë e stuhive të fuqishme që goditën këtë vend...

Mijëra qytetarë të Kalifornisë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre si pasojë e stuhive të fuqishme që goditën këtë vend, duke përmbytur rrugët pasi lumenjtë dolën nga shtrati. Moti i keq, ka shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Autoritetet e rrugëve në Kaliforni thanë se disa nga autostradat shtetërore janë mbyllur për shkak të vërshimeve, rrëshqitjes së dheut dhe stuhisë së borës.
Urdhër për evakuim është lëshuar në qarkun e Santa Kruzit që ka rreth 32.000 banorë. Po ashtu, afër 10.000 persona janë urdhëruar që të evakuohen edhe nga Santa Barbara. Në Montecito, ku jetojnë edhe Princi Harry, Oprah Winfrey dhe personalitete të tjera, banorët po ashtu u urdhëruan të evakuohen. Shërbimi Kombëtar i Motit alarmon se në disa zona të Kalifornisë mund të ketë përkeqësim të gjendjes nga shirat e rrëmbyeshëm.
“Shirat të martën do të përkeqësojnë vërshimet dhe do të rrezikojnë që të ketë vërshime të reja dhe rrëshqitje të dheut”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit.
Parashikuesit e motit po ashtu kanë paralajmëruar se pjesa jugperëndimore e Kalifornisë mund të përballet me erëra që mund të arrijnë deri në 97 kilometra në orë, ndërkaq disa zona mund të përballen me shira deri në 12.7 milimetra në orë. Si pasojë e stuhive që nisën javën e kaluar, numri i viktimave u rrit në 14, pasi të hënën edhe dy persona, përfshirë një të pastre, vdiqën për shkak të rrëzimit të druve, thanë zyrtarët shtetërorë. Ndërkohë presidenti i ShBA, Joe Biden miratoi një deklaratë të gjendjes së jashtëzakonshme që autorizon Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave për të koordinuar përpjekjet e ndihmës ndaj fatkeqësive dhe mobilizimin e burimeve të emergjencës në Kaliforni.
BELINDA KOKA ADEMI
