Maqedoni

Plenumi filloi punimet për këtë sezon, Ramçilloviq lë mandatin e deputetit, vjen Panovska

10.01.2023 15:49

Kuvendi hapi punimet e plenumit për këtë vit kalendarik me imazhin e vitit të kaluar....

Kuvendi hapi punimet e plenumit për këtë vit kalendarik me imazhin e vitit të kaluar. Salla gjysmë e zbrazët, pa shumicën e plotë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës ishte pamja e parë që sipas të gjitha gjasave do të karakterizojë edhe këtë vit. Në rrethana të tilla, kryetari i Kuvendit hapi seancën e 99-të, e para për këtë vit kalendarik. 
 
Xhaferi njoftoi plenumin se deputetit Zeqir Ramçilloviq i pushon mandati i deputetit për shkak se është emëruar ambasador i RMV-së në Mal të Zi.
 
“Meqë deputeti Zeqir Ramçilloviq është zgjedhur nga lista e kandidatëve, është e nevojshme që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të njoftojë Kuvendin për kandidatin e radhës nga lista e njëjtë që të verifikohet mandati i deputetit, në përputhje me nenin 153 të Kodit Zgjedhor.”, - deklaroi kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Komsioni Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e radhës duhet të konstatojë që Daniella Stojanovska – Panovska, nga lista e LSDM-së për deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare, është deputetja e radhës në këtë listë që duhet të plotësojë vendin e ish-deputetit Ramçilloviq.  
 
Paraprakisht Kuvendi miratoi pr/procesverbalin nga seanca e 96, pa vërejtje, ndërkaq në rend dite mes 16 pikave është edhe ratifikimi i Marrëveshjes me BE-në për aktivitetet vepruese të FRONTEKS-it; pr/ligji për ndryshimin e Kodit penal dhe pr/ligji për kthimin e një pjese të TVSh-së te qytetarët.
 
SHPËTIM NUREDINI