Botë

Kosovë, Isa Mustafa të enjten në interpelancë

02.02.2015 17:22

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, do të jetë në interpelancë ditën e enjte e jo të martën, siç kishte kërkuar opozita...

Mbajtja e interpelancës për të enjten ka ardhur pas kërkesës së kryeministrit kosovar, Isa Mustafa, e cila është bërë e ditur në kryesi përmes shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqirit.
 
Ndryshe, kërkesa për interpelancë e kryeministrit ishte kërkuar nga grupi parlamentar i AAK-së, të cilët kërkojnë nga kryeministri përgjegjësinë e ministrit, Aleksandër Jabllanoviq, për deklaratat e tij publike.
 
Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e “Krishtlindjeve” ortodokse.
 
Opozita insiston që ministri Jabllanoviq të shkarkohet nga posti me gjithë kërkim-faljen e Jabllanoviqit për deklaratën e bërë. Opozita organizoi edhe protesta me kërkesën për shkarkimin e tij. 
 
Protesta e 27 janarit përfundoi me përplasje të rrepta ndërmjet forcave të rendit dhe protestuesve. Protesta e radhës mbahet të mërkurën, një ditë para seancës plenare në të cilën kryeministri Mustafa është thirrur në interpelancë.