Botë
Unitet karshi kërcënimit rus, deklaratë NATO - BE për bashkëpunim strategjik
10.01.2023 17:31
NATO dhe BE nënshkruan deklaratën e tretë për bashkëpunim strategjik...

NATO dhe BE nënshkruan deklaratën e tretë për bashkëpunim strategjik, që synon “ngritjen në një nivel më të lartë” të raporteve të këtyre dy institucioneve. Ata bënë thirrje që të ruhet uniteti i botës së lirë demokratike karshi kërcënimeve të Moskës, por edhe ndaj synimeve të Kinës.
“Presidenti Putin, deshi ta pushtojë Ukrainën për disa ditë dhe të na ndajë ne. Në të dyja këto dështoi. Duhet të vazhdojmë të forcojmë sigurinë euroatlantike dhe sigurinë e Evropës.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Putin deshi më pak NATO, por e arriti të kundërtën. Tani kemi më shumë NATO dhe më shumë BE. Po e përshpejtojmë edhe procesin e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.”, - theksoi presidenti i këshillit evropian, Charles Michel.
“Kërcënimi i Rusisë është më i afërmi, por jo i vetmi kërcënim për aleancën tonë. Duhet të kemi rezistencë edhe ndaj qëllimeve të Kinës që synojnë të vënë në dyshim sigurinë dhe stabilitetin tonë.”, - u shpreh presidentja e komisionit evropian, Ursula von der Leyen.
Deklarata konfirmon rolin kyç të NATO-s si shtyllë e sigurisë kolektive euroatlantike, por edhe nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të BE-së. Aktualisht, nga 27 shtetet anëtare të bllokut evropian, 21 janë anëtare të NATO-s. Ky numër pritet të arrijë në 23 pasi Finlanda dhe Suedia të hyjnë në aleancë. Stoltenberg u shpreh i bindur se Turqia dhe Hungaria do të ratifikojnë anëtarësimin e dy shteteve nordike në NATO.
GAZMEND REXHEPI
