Sistemet diellore fotovoltaike, MASH: 1.1 milion euro nga BZHKE, përfitojnë 25 shkolla

11.01.2023 12:50

Ministria e Arsimit synon të përmirësojë efiçencën energjetike....

Ministria e Arsimit synon të përmirësojë efiçencën energjetike të shkollave fillore dhe të mesme me instalimin e sistemeve fotovoltaike diellore. Projekti do të realizohet me grant prej 1.1 milionë euro të siguruar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës.

“Fondi Evropian për Investime të Gjelbra Shoqërore të dedikuara për përforcimin e masave gjithëpërfshirëse klimatike, na mundësoi të investojmë në efiçencën e energjisë të paktën në 25 shkolla. Efekti është i dyfishtë; bëjmë zëvendësime në energjinë e bazuar në lëndë djegëse fosile me energji të pastër dhe të rinovueshme dhe njëkohësisht kemi kursime në faturat e energjisë. Këto mjete do të riinvestohen në përmirësimin e kushteve në shkolla.”, njoftoi  ministri i arsimit, Jeton Shaqiri, pas miratimit të grantit.

Shkollat e përfshira në projektin e ri janë rikonstruktuar më parë me një hua nga Banka për Zhvillim në kuadër të Këshillit të Evropës. Ndërgjegjësimi tek nxënësit për çështjet energjetike dhe ndryshimet klimatike është një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Njohja e nevojave për tranzicion të gjelbër është integruar në sistemin arsimor. “Trajnimet për integrimin e edukimit mjedisor dhe ndryshimeve klimatike në programet mësimore, i ndoqën 121 mësimdhënës”, informojnë nga MASH-i. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)