Takimi me Ramën -Ahmeti, Taravari, Thaçi: Biseduam për rrugëtimin drejt BE-së

11.01.2023 13:13

Për më shumë se 3 orë kryeministri shqiptar Edi Rama...

Për më shumë se 3 orë kryeministri shqiptar Edi Rama dhe krerët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut kanë diskutuar mbrëmë në Tiranë mbi sfidat dhe rrugëtimin e të dy shteteve drejt anëtarësimit në BE.

“Takimi i sotëm ishte për rrugëtimet e përbashkëta që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt hapjes së negociata për anëtarësim në BE. Kishte një ligjërim nga kryeministri i Shqipërisë për përpjekjet e përbashkëta që janë bërë, si dhe përpjekjet që duhet bërë pas përfundimit të skriningut drejt hapjes së kapitullit të parë. Parashikimet ishin se tani do të jetë më e vështirë rruga, kështu që të dyja vendet tani duhet të koordinohen, në mënyrë që ta shkurtojmë rrugën për anëtarësim në BE. Një nga mënyrat thuajse të vetmet për ta parandaluar emigracionin, është anëtarësimi në BE. Është përmendur edhe shembulli i Spanjës dhe Portugalisë, njerëzit e të cilëve janë kthyer në vend pas anëtarësimit në BE.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Takimi ishte analizë e përgjithshme në të dy vendet. Gjithashtu biseduam ardhmërinë e përbashkët të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kemi pasur sfida, ndërsa tani si dy shtete të NATO-s urojmë dhe shpresojmë që së bashku t’i vazhdojmë negociatat për anëtarësim në BE. Të gjitha partitë që ishin këtu e përkrahim atë që Maqedonia e Veriut duhet ta vazhdojë rrugën për në BE. Kemi diskutuar edhe për ndryshimet kushtetuese që duhet të bëhen në RMV. Kam  siguruar kryeministrin e Shqipërisë se nuk ka asnjë parti shqiptare që është kundër integrimit të vendit në BE dhe me këtë edhe pro ndryshimeve kushtetuese.”, - theksoi kryetari i ASh- së, Arben Taravari.

“Takim vëllazëror, i uruam vitin e ri njëri tjetrit dhe gjithë shqiptarëve. Biseduam për të ardhmen tonë të përbashkët për rrugën në Bashkimin Evropian.”, - u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Ftesën e refuzoi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili më herët theksoi se nuk është koha që të organizohen takime të tilla. Ky refuzim për Ahmetin është papjekuri politike, ndërsa Taravari nuk deshi të komentojë vendimin personal të liderit të Besës.