Takimi Rama-liderët shqiptarë, ndryshimet kushtetuese të patjetërsueshme

11.01.2023 14:05

Eurointegrimi temë kyçe në takimin e liderëve shqiptarë të vendit...

Eurointegrimi temë kyçe në takimin e liderëve shqiptarë të vendit, në takimin joformal me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë.

Krerët e BDI-së, ASh-së, PDSh-së dhe Alternativës,  ripotencuan se  do të mbështesin pa dilemë  ndryshimet kushtetuese, që vendi të integrohet sa më shpejtë në BE, së bashku me Shqipërinë.

“Identiteti maqedonas forcohet duke hapur Kushtetutën, duke futur bullgarët kategori kushtetuese, kroatët, malazezët dhe kështu forcojnë identitetin e tyre. Ne na kanë pas në përkrahje të identitetit, në përkrahje të kulturës, në përkrahje të historisë së tyre dhe do të na kenë.  Pa shqiptarët s’ka Maqedoni.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Shumica e partive shqiptare as që diskutohet se a janë për ndryshimet kushtetuese dhe këtë e kanë deklaruar publikisht. Nuk ka parti shqiptare në Maqedoni që është kundër ndryshimeve kushtetuese me të vetmin qëllim që të fillojnë negociatat.”,  - theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.

“Biseduam për të ardhmen tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian, jo diçka më shumë konkrete.”, - u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Mungesa e takimeve në RMV, Ahmeti : Jemi ulur, tani Kasami po shmanget

Për mungesën e takimeve të përbashkëta në vend, Ahmeti shfajëson veten, ndërkohë që kritikoi mungesën e kreut të Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.

“Jam ulur edhe në Shkup, por nuk ka qenë me aq afirmacion.  Jam ulur në Shkup, komunikoj me partitë opozitare, kam komunikuar përpara edhe me zotin Kasami. Ai pasi e ka ashpërsuar kursin politik, si duket po u shmanget takimeve.”,  - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Taravari: Duhet vetë të iniciojmë takime në vend

Kryetari i ASh-së, Arben Taravari theksoi se takimet duhet të vetëinicohen .

“Mirë është qe ne të vazhdojmë të vijmë te zoti Kurti dhe zoti Rama, por edhe vetë të iniciojmë kur mendojmë se kemi çështje që janë të rëndësishme për shqiptarët, por edhe për qytetarët në përgjithësi në Maqedoni, të ulemi edhe të bashkëbisedojmë së bashku, fundja ta organizojmë një darkë.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.

Në takimin 3 orësh është nënvizuar edhe rëndësia e intensifikimit të bashkëveprimit Shqipëri – Maqedoni e Veriut për t’u shkurtuar rrugën drejt BE-së si një nga mënyrat e vetme për të parandaluar migrimin nga të dyja vendet. (Meral Ismaili, TVM2)