Maqedoni
Rritja e pagës minimale, LSDM: Nuk do të varet më nga vullneti i politikës
11.01.2023 15:38
Standardi i qytetarëve dhe të ardhurat mujore kanë përplasur pushtetin dhe opozitën.....

Standardi i qytetarëve dhe të ardhurat mujore kanë përplasur pushtetin dhe opozitën. Nga LSDM thonë se rritja e pagës minimale nga marsi, nuk do të varet më nga vullneti politik i dikujt.
“Me metodologjinë e miratuar vitin e kaluar përmes dialogut me të gjithë aktorët, sigurohet një rritje e vazhdueshme e pagës minimale, si zgjidhje sistematike e pavarur nga vullneti politik i dikujt”.
VMRO-DPMNE: 3 paga minimale, nuk mjaftojnë
Por, nga VMRO-DPMNE thonë se as 3 paga minimale të propozuara nga LSDM dhe BDI-së nuk do t'i shpëtojnë qytetarët nga varfëria në të cilën i kanë zhytur.
“Inflacioni real në Maqedoni i produkteve ushqimore bazë është më i lartë dhe sipas Entit Shtetëror të Statistikave ka arritur mbi 30%. Çmimet për disa produkte bazë janë rritur me gati 100%. Në një kohë kur inflacioni mesatar për vitin 2022 është 14.2 dhe inflacioni real i produkteve ushqimore bazë është mbi 30%, një rritje prej 11% e pagës minimale është shumë e vogël dhe nënvlerëson qytetarët”.
Nga kjo parti thonë se nevojiten masa urgjente në ekonomi, duke ndihmuar sektorin e biznesit të mbijetojë nga kjo krizë, të gjitha për të mos mbyllur bizneset e tyre dhe për të mos pushuar nga puna.
NAIM RAMADANI
