Ekonomi

Çmimet e produkteve bazë, Bekteshi: Ulje do të ketë, por jo si para dy viteve

11.01.2023 15:51

Çmimet e produkteve bazë sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi janë stabilizuar....

Çmimet e produkteve bazë sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi janë stabilizuar. Bekteshi tha se ulja ka të bëjë vetëm me produktet që prodhohen në vend, kurse përkujtoi qytetarët edhe njëherë që mos të shpresojnë se çmimet do të bien në nivelin që ishin para dy viteve.
 
“Sipas të dhënave të ministrisë së ekonomisë momentalisht janë stabilizuar çmimet nga ato që ishin në shtator dhe tetor kur kemi pasur rritje të dukshme të çmimeve të produkteve bazë ushqimore. Në disa produkte të caktuara ka veç më ulje të çmimeve dhe edhe njëherë të përsëris se ne nuk kemi thënë se do të kthehemi në çmimet e para një viti apo dy viteve, por kemi thënë se do të ketë ulje të çmimeve në krahasim me ato të shtatorit dhe tetorit për 7 - 12 për qind.”, - deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Ulja e çmimeve, Afaristët: Është rritur çdo gjë, s’kemi leverdi
 
Nga sektori privat thonë edhe përskaj lirimit të çmimit të rrymës, momentalisht nuk mund të ketë ulje më të madhe të çmimeve, pasi në çmimin e produktit final nuk merret për bazë vetëm çmimi i energjisë elektrike.
 
“Rryma nuk ishte faktori kryesor, por një nga faktorët kryesor. Kemi naftën, energjinë elektrike, repromaterialet, lëndët e para dhe rrogat. Tani çfarë të bëjmë. Mishi për 40% është rritur, repro-materialet, nëse ne nuk i paketojmë produktet, ato nuk na shiten. Nëse do të na jepet hapësirë sigurisht se do t’i ulim.”, - theksoi afaristi, Sllobodan Kutrevski.
 
Bekteshi: Nga marsi rrisim në 20.000 den pagën minimale
 
Për të zbutur inflacionin do të ketë rritje të re të pagës minimale nga marsi, nga 18.000 në  20.000 denarë. 
 
“Pritshmëritë, në bazë të të dhënave preliminare që i kemi nga EShS tregojnë që paga minimale do të jetë diku rreth 20 mijë denarë, që nëse e krahasojmë me atë që e kishim para pesë viteve, është dyfish më e madhe, kishim pagë minimale 9.900 denarë, tash arritëm në afat të 6 viteve ta dyfishojmë pagën minimale.”, - u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Bekteshi thotë se do të ketë edhe masa të tjera si dhe rritje të mëtejshme të pagave.
 
ERSAN PAJAZITI