Maqedoni
Zaev: Do të publikojmë çdo gjë që kemi; Orav: Rastin do ta ndjekim shumë seriozisht
02.02.2015 17:58
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, përkundër pritjeve, as sot nuk publikoi dëshmi dhe argumente për krim të pushtetit...

Megjithatë, nuk ka hequr dorë nga publikimi i tyre. Në takimin me ambasadorin evropian, Aivo Orav, Zaev ka ripërsëritur qëndrimin se do të publikojë çdo gjë që ka në dispozicion për të dëshmuar krimin e pushtetit.
“Publikimi i dëshmive dhe argumenteve për kriminalitet të pushtetit nuk mund të jetë grusht shteti. Është obligim i gjithsecilit që ka marrë dëshmi të tilla, që t’i publikojë. Do të publikojmë çdo gjë që kemi”- ka deklaruar Zaevi.
Sipas tij, rasti “Puç” është procedurë e montuar politikisht e pushtetit kundër liderit të opozitës maqedonase për të penguar publikimin e fakteve dhe argumenteve për qeverisjen e kriminalizuar.
Rasti “Puç” është sfidë për institucionet dhe për shtetin në përgjithësi, thotë euroambasadori, Aivo Orav. Brukseli pret pavarësi dhe transparencë nga organet e hetuesisë dhe gjyqësori.
“Ky është rast potencial që përfshin kryeministrin dhe liderin e opozitës në këtë vend. Duke marrë parasysh profilin e lartë të këtij rasti potencial, duke marrë parasysh se ky vend është vend kandidat për anëtarësim në BE, ne i kushtojmë shumë vëmendje këtij rasti dhe do ta ndjekim shumë, shumë seriozisht. Do të jetë test i madh për institucionet e vendit, do të jetë test i madh për mediat dhe për shtetin. Unë vetëm mund t’i referohem deklaratës së BE-së të shtunën mbrëma, që ne presim pavarësi dhe transparencë gjatë hetimit dhe në procesin e gjykimit”- tha ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon pavarësi në gjyqësor dhe prokurori, si dhe zhvillimit transparent dhe të paanshëm të proceseve gjyqësore, në veçanti ato që i referohen marrëdhënieve ndëretnike, ndërfetare dhe politike.
“Autoritetet shtetërore, përfshirë edhe ato të prokurorisë dhe gjyqësorit, duhet ta trajtojnë këtë rast me integritet dhe transparencë të plotë dhe me respekt për presumimin e pafajësisë së të përfshirëve”– thuhet në kumtesën e BDI-së.
SHPËTIM NUREDINI
