Maqedoni
Takimi në Tiranë, reagojnë partitë e tjera, Kovaçevski: Rama, mik i madh dhe eurointegrist
11.01.2023 16:20
Takimi i liderëve të partive shqiptare nga Maqedonia e Veriut me kryeministrin shqiptar...

Takimi i liderëve të partive shqiptare nga Maqedonia e Veriut me kryeministrin shqiptar, Edi Rama u komentua në forma diametralisht të kundërta nga subjektet politike maqedonase. Kryeministri Kovaçevski konsideron se takime të tilla janë pozitive dhe të mirëseardhura pasi, sipas tij, kryeministri shqiptar është dëshmuar si mik i madh i Maqedonisë së Veriut dhe promovues i integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit. Sipas, Kovaçevskit edhe ky takim ka qenë në këtë frymë.
“Çdo bisedë që, një mik i dëshmuar i shtetit tonë dhe euroatlantist, zhvillon me aktorë politik të shtetit tonë në drejtim të ndërtimit të fqinjësisë së mirë, në drejtim të ndërtimit të miqësisë së mirë, në drejtim të mbajtjes së kursit të integrimit evropian për të gjithë rajonin, unë e konsideroj si pozitiv dhe të mirëseardhur. Në rajonin tonë ekzistojnë dy koncepte. Njëri koncept, të cilin e kryesojmë: unë, z. Rama dhe kryeministra të tjerë dhe ky është integrimi evropian i gjithë rajonit dhe koncepti tjetër, përkatësisht politikanë të tjerë që konsiderojnë se ky rajon nuk duhet të integrohet në BE.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Stoilkoski: Takimi, nevojë për të mbijetuar koalicioni
VMRO-DPMNE nuk beson se parti politike nga koalicioni qeverisës kanë udhëtuar në Tiranë vetëm për një drekë të vitit të ri.
“Dimitar Kovaçevski duhet të tregojë se çfarë është dakorduar në Tiranë, ku sërish janë dakorduar sipërmarrje politike për Maqedoninë. Kovaçevski sot duhet të tregojë se çfarë detyrash ka marrë nga Ali Ahmeti. A do t’i adresojë Kovaçevski Ahmetit çdo gjë që është dakorduar në Tiranë, qofshin ato biznese apo tradhëti të reja, vetëm e vetëm që të vazhdojë koalicioni i krimit dhe korrupsionit?”, - theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkoski.
Kasami i përgjigjet Ahmetit: Me këtë “ takat” të mundëm dy herë në Tetovë
Ndërkaq, kreu i Lëvizjes “Besa”, Bilal Kasami, i cili nuk mori pjesë në takimin te kryeministri Rama, ka komentuar deklaratën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
“Kryetari i BDI-së nga Tirana paska komentuar Lëvizjen “BESA” dhe "takatin" politik të saj. Po kjo “Besë”, me këtë "takat", të mposhti dy herë radhazi në kryeqendrën e shqiptarëve të RMV-së - Tetovën. Kësaj radhe nuk të shpëton dot askush nga humbja e zgjedhjeve të ardhshme, kurdoherë që të mbahen ato!”. – shkruan Kasami.
SHPETIM NUREDINI
