Maqedoni

Këshilli gjyqësor: Apeli “harroi” në sirtar katër raste

11.01.2023 16:31

Grupi punues i caktuar nga ana Këshillit gjyqësor që vizitoi Gjykatën e Apelit nuk arsyeton vonesën dhe ruajtjen e lëndës "Target - Fortesa"...

Grupi punues i caktuar nga ana Këshillit gjyqësor që vizitoi Gjykatën e Apelit nuk arsyeton vonesën dhe ruajtjen e lëndës  "Target - Fortesa" për 9 muaj në sirtar, duke rrezikuar që ajo të vjetërsohet. Sipas raportit të grupit të punës gjykatësi Enver Bexheti, ka vendosur për të gjitha lëndët me interes publik derisa këtë e mbante në sirtar. Këshilli Gjyqësor vlerëson se pesë gjyqtarët e Apelit nuk e kanë arsyetuar mbajtjen e lëndës në sirtar, ndonëse pretendonin se kanë qenë duke e studiuar atë dhe kanë qenë të preokupuar me punë. Për ta  nuk ka arsyetim pse Apeli nuk ka marrë vendim për nëntë muaj. Të gjithë gjyqtarët që kanë vendosur për këtë çështje kanë pasur mandat dhe nuk ka pasur gjyqtar në pension në momentin e marrjes së vendimit.
 
“Nuk ka arsye të justifikuara që të kalojë një periudhë kaq e gjatë nga përfundimi i seancës publike deri në shpalljen e vendimit. Arsyet e kësaj situate janë përmendur si numri i madh i lëndëve, zakonisht lëndë të vështira me interes të lartë publik, të cilat sipas AKMIS-it i janë ndarë gjyqtarit raportues. Është evidente edhe nga regjistri, e kemi kontrolluar. Është i padiskutueshëm fakti që e ka përmbushur normën mujore, por ajo që kemi konstatuar është se nga të gjitha lëndët që i janë caktuar gjykatësit raportues, vetëm “Target-Fortesa” është lëndë e papërfunduar.”, - deklaroi anëtarja e Këshillit gjyqësor, Tanja Çaçarova-Ilievska. 
 
Në mesin e lëndëve për të cilat raporti vlerëson se ka pasur vonesa të paarsyetuara, janë edhe lëndët “Transportuesi” në ngarkim po të gjykatësit Bexheti, “Thesari” nga gjykatësja Lirije Elezi dhe rasti “Alfa” me gjykatësin Zoran Dimitrievski. Selim Ademi dhe Milazim Mustafa, kundërshtuan konstatimet e ashpra në raport e  kërkuan të pritej me konkluzionet deri në analizën e punës së instancave paraprake.
 
“Hetimi të jetë nga gjykata e shkallës së parë, pasi që në atë mënyrë do t’i ketë të gjitha elementet dhe faktet që i kërkon opinioni, a ka  prolongim prej atje dhe se kjo paraqet vazhdim.”, - theksoi nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi.
 
“Arsyeja se pse aktvendimi nuk u bë në kohë normalisht se duhet të analizohet , megjithatë duhet të merren parasysh edhe rrethanat në të cilat është punuar në Gjykatën e Apelit dhe mënyra se si kanë ardhur deri tek ai vendim.”, - u shpreh anëtari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa.
 
Nëse komisioni tre anëtarësh do të propozojë shkarkimin apo dënimin e këtyre gjyqtarëve do të dihet në ditët në vijim.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI