Botë
Marrëdhëniet Kosovë – Serbi, Chollet në Prishtinë, takon Kurtin dhe Osmanin
11.01.2023 17:45
Ky vit ka filluar me një dinamikë të shtuar rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe vizita....
Ky vit ka filluar me një dinamikë të shtuar rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe vizita të njëpasnjëshme të diplomatëve perëndimorë të angazhuar drejtpërdrejt në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. E fundit është ajo e këshilltarit të lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Pas takimit me të, përmes një kumtese Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sqaron se Kosova kërkon marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon. Ajo theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.
"Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me ShBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë.”, - tha Osmani.
Chollet ka takuar edhe kryeministrin Albin Kurti. Sikur në takimin me Osmanin edhe këtu nuk ka deklarim për media pas takimit. Pas Prishtinës, Chollet udhëton drejt Beogradit, ku do të diskutojë rreth rolit të Serbisë për përforcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
GAZMEND REXHEPI
