Botë
Luftime të ashpra në Donjeck, Rusia pretendon se ka marrë qytetin Soledar
11.01.2023 18:23
Forcat ruse intensifikojnë ofensivën në rajonin e Donjeckut dhe vazhdojnë të godasin pozicionet ukrainase pranë qyteteve Soledar dhe Bahmut...

Forcat ruse intensifikojnë ofensivën në rajonin e Donjeckut dhe vazhdojnë të godasin pozicionet ukrainase pranë qyteteve Soledar dhe Bahmut. Një video e publikuar nga Shërbimi Kufitar Shtetëror i Ukrainës shihet që i gjithë qyteti Bahmut është kthyer në rrënoja.
"Forcat hapësinore ruse po kryejnë sulme në bastionet e armikut. Grupet e sulmit janë përfshirë në një betejë në qytet. Ky qytet mund të themi lirisht se është çliruar nga nacionalistët ukrainas.", - deklaroi zëdhënësi rus i ministrisë së mbrojtjes, Igor Konashenko.
Zelensky: Nuk do të ketë luftë të tretë botërore
Pavarësisht luftimeve të ashpra, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelesky, thotë se nuk do të ketë Luftë të Tretë Botërore, sepse Ukraina nuk do të lejojë që lufta të dalë përtej kufijve të këtij shteti.
“Lufta e Parë Botërore mori miliona jetë. Lufta e Dytë Botërore mori dhjetëra miliona prej tyre. Nuk do të ketë Luftë të Tretë Botërore. Nuk është një trilogji. Ukraina do të ndalojë agresionin rus në tokën tonë që të mos përhapet në të gjithë botën.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Zelensky nuk foli asgjë për pushtimin e Soledarit, por kërkoi nga BE-ja më shumë mbështetje ushtarake. Liderët e BE-së i kanë mbështetur si parim kërkesat për dërgimin e tankeve “Leopard 2” në Ukrainë.
“Unë mendoj se Ukraina duhet t’i marrë pajisjet ushtarake që i nevojiten dhe mund të përdorë për të mbrojtur atdheun e saj. Këto përfshijnë sisteme moderne të mbrojtjes ajrore, por edhe pajisje të tjera moderne ushtarake si tanke “Leopard 2”,”, - u shpreh presidentja e komisionit evropian, Ursula von der Leyen.
Ukrainasit nuk po mbrojnë vetëm vendin e tyre, por edhe parimet themelore të Kartës së OKB-së, të drejtat themelore dhe të drejtën ndërkombëtare, shtoi Presidentja e Komisionit Evropian. Kjo është arsyeja pse ajo e ka mbrojtur këtë pozicion që nga fillimi i luftës së agresionit rus.
FARIJE DAUTI BAKIJU
