Asociacioni, Chollet: Detyrim ligjor, presim propozimet e Kosovës

12.01.2023 10:48

Mesazhi i këshilltarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet....

Mesazhi i këshilltarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gjatë vizitës në Prishtinë, ishte i qartë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ai është një detyrim ligjor.

Chollet tha se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova të përmbushë të gjitha angazhimet e saj në bisedimet më Serbinë, përfshirë themelimin e Asociacionit.

“Dua të jem i qartë, ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizëm të tipit Republika Sërbska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën. Një nga mesazhet që sollëm këtu dhe do ta transmetojmë edhe në Beograd është se duam të shpenzojmë energjinë diplomatike amerikane për të punuar për të ardhmen euro-atlantike për Kosovën e jo në menaxhimin e krizave”, tha Chollet.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të përfshihen urgjentisht në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian që do të çojnë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen e ndërsjellë në qendër.

Ai nënvizoi se ky dialog është mënyra më e mirë për Kosovën që të sigurojë te ardhmen euro-atlantike.