Gjysmëvjetori i dytë fillon më 23 janar, Shaqiri: Orët e humbura realizohen online
Gjysmëvjetori i dytë në vend se të fillojë me 18 janar...

Gjysmëvjetori i dytë në vend se të fillojë me 18 janar është prolonguar për dy ditë dhe do të fillojë me 23 janar. Numri një i dikasterit të arsimit, Jeton Shaqiri, potencon se një vendim i tillë është marrë për shkak të funksionimit më të mirë të shkollave duke marrë parasysh se e enjtja është ditë feste.
Sa u përket orëve të humbura gjatë gjysmëvjetorit të parë disa janë kompensuar, por ka shkolla që po kompensojnë orët online në këtë periudhë.
“Orët që janë humbur në shkollat në të cilat ka pasur paralajmërime për bomba kam pasur takim në fundvit me drejtorët e shkollave, kemi marrë informacion se disa nga ato orë janë plotësuar dhe të tjerat po realizohen në këtë periudhë dhe janë në komunikim për të realizuar mësimin online, në ato shkolla ku ka pasur bomba të paralajmëruara në gjysmëvjetorin e parë.”, - deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
TVM 2 qëndroi në shkollën fillore “Ismail Qemali”, nga ku mësuam se nuk ka probleme me ngrohjen, por po zbatohen edhe rekomandimet për kursim. Orët e humbura të mësimit janë kompensuar.
“Te ne vazhdon të këtë nxehje në shkollë, nuk kemi probleme nga ky aspekt, por duhet të kursejmë që të kemi kur të fillojë viti shkollor. Për orët e mësimit për tre ditë si do të na sjell vendimin MASh ashtu do të veprojmë, orët që janë humbur për shkak të bombave i kemi plotësuar si dhe për shkak të nxehjes ne kemi mbajtur mësim me orar të shkurtuar, nuk kemi humbur orë mësimore.”, - u shpreh drejtoresha në Sh.F. “Ismail Qemali”, Teuta Imeri.
Nëse në gjsmëvjetorin e dytë intensifikohen paralajmërimet për bomba Shaqiri potencon se do të shqyrtohet mundësia për mësim online. Por, sërish sipas tij, MASh insiston që mësimi të mbahet me prani fizike dhe sa më shpejtë të gjinden fajtorët për vendosjen e paralajmërimeve të rreme për bomba në shkolla. (Flutura Latifi – Rahimi, TVM2)
