Maqedoni
Spasovski: Edhe po të jetë zyrtar i lartë, përgjegjësi do të ketë nëse ka kryer krim
12.01.2023 14:32
Pavarësisht nëse është zyrtar i lartë apo jo, kur bëhet fjalë për vepra penale, të gjithë duhet të mbajnë përgjegjës...

Pavarësisht nëse është zyrtar i lartë apo jo, kur bëhet fjalë për vepra penale, të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi, tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovski në pyetjen rreth përfshirjes së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në tregtinë me drogë. Spasovski thotë se të gjithë duhet të përfshihen në zvogëlimin e hapësirës ku veprohet ilegalisht.
“Çdo gjë që kanë duhet të publikohet, të dorëzohet, të bëjnë gjithçka për të ndihmuar hetimin. Dhe nuk më intereson fare nëse janë zyrtarë të lartë apo të ulët. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi nëse kanë kryer një krim.”, - deklaroi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Duke iu referuar konfiskimit të mariuhanës ilegale nga fabrikat që prodhojnë vaj kanabis, Spasovski tha se në ato subjekte juridike duhet të rritet mbikëqyrja dhe të punohet për revokimin e licencave për ata që nuk respektojnë rregulloret ligjore.
“Të gjitha institucionet janë të obliguara për mbikëqyrje. Ministria e Shëndetësisë patjetër t’i rris kapacitetet njerëzore që mbikëqyrja të jetë në vazhdimësi e jo vetëm kur kemi të dhëna për kryerjen e veprës penale. Vëzhgimi duhet të jetë i vazhdueshëm me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të hapësirës ku ata do të mund të veprojnë në mënyrë ilegale. Urgjentisht duhet t’u merret licenca personave juridik që nuk respektojnë rregullat ligjore.”, - theksoi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Spasovski u pyet se a është gati MPB për aplikimin e dygjuhësisë në uniformat e policëve, por si çdoherë përgjigja është e njëjtë “Ministria e Punëve të Brendshme do të jetë e gatshme në afatin që është paraparë me ligj.”, tha shkurt Spasovski.
SANIJE DURAKU
