Maqedoni

Osmani në Vjenë, si kryesues me OSBE-në: Vlerat e kësaj organizate më të rëndësishme se kurrë

12.01.2023 15:02

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së...

Ministri i jashtëm, Bujar Osmani në cilësinë e  kryesuesit të OSBE-së, në këshillin e përhershëm të këtij institucioni ka paraqitur  prioritetet dhe fokusin e presidencës së RMV-së gjatë vitit. Ukraina do të mbetet prioritet i lartë dhe agresioni patjetër të ndalet, ka thënë Osmani, duke shtuar se kryesimi na ka gjetur  në rrethana komplekse, por kjo sipas tij, duhet shfrytëzuar si motiv për shtimin e përpjekjeve  tona.
 
“Sfida më e madhe në zbatimin e agjendës sonë do të jetë në kontekstin e rrethanave të vështira, por uniteti rreth parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së, janë burim shprese dhe inkurajimi. Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës, i cili minon vet themelet dhe angazhimet e organizatës, e forcon këtë unitet. Sot, vlerat tona duken më të rëndësishme se kurrë. Sfidat aktuale nuk janë arsye  për disfatizëm, por për nxitje për të forcuar përpjekjet dhe angazhimin tonë.”, - deklaroi kryesuesi me OSBE-në, Bujar Osmani.
 
Para të pranishmëve, ministri Osmani ka shpjeguar qëllimet dhe motivet kryesore të presidencës, duke vënë theksin tek mirëqenia e njerëzve. Ata janë të parët  që vuajnë nga trazirat, konfliktet dhe luftërat dhe ne duhet t’u rrimë përballë, ka potencuar diplomati i vendit.  
 
“Bëhet fjalë për njerëz. Kjo është motoja jonë dhe forca lëvizëse për këtë vit. Është obligim i yni të veprojmë ndaj njerëzve që kërkojnë përkrahjen tonë. Duhet t’i kthejmë fjalët në vepra me qëllim që ta sigurojmë funksionalitetin e OSBE-s. E përfundoj  fjalimin me një thënie  nga Nënë Tereza: “Kam frikë nga e ardhmja, sepse po e humbasim të sotmen! Mos t’i frikësohemi të ardhmes dhe ta humbasim të sotmen, por të punojmë për një të nesërme më të mirë.””, - theksoi kryesuesi me OSBE-në, Bujar Osmani.
 
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim duhet të jetë një platformë për dialog, e bazuar në integritet, por që të ndodh kjo, Osmani ka ftuar të gjithë anëtarët  e organizatës t’ju përkushtohen vlerave dhe mbrojtjes së njerëzimit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU