Maqedoni
Integrimi, Pendarovski: Opozita s’do të mbështesë ndryshimet kushtetuese
12.01.2023 15:15
Vendi ka agjendë të qartë për integrimin e vendit në BE, por mungon konsensusi nacional për ndryshimet kushtetuese.....

Vendi ka agjendë të qartë për integrimin e vendit në BE, por mungon konsensusi nacional për ndryshimet kushtetuese, vlerëson presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski. Në debatin e organizuar nga këshilli i ambasadorëve, kreu i shtetit tha se mbështetja për integrim tek maqedonasit është në rënie.
“Ne për momentin nuk kemi konsensus nacional që të vazhdojmë drejt BE-së. Obligimi i parë në këtë drejtim është ndryshimi i kushtetutës. Çfarë është kontestuese, si do ta rrënonim shtetin maqedonas nëse vendosim edhe bullgarët, kroatët, malazezët? Nuk shoh kurrfarë hapësire manovruese që mund të ndihmojë. Qëndrimet janë të atilla që keni deklarata të verifikuara në noter se as në ëndërr nuk do të nënshkruajnë ndryshim të kushtetutës.”, - deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.
Gir: Opozita konstruktive në ndryshimet kushtetuese
Euroambasadori Gir i prerë se për procesin negociues të rëndësishme janë ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që ftoi opozitën për konstruktivitet.
“Ndryshimet në kushtetutë do të duhet të bëhen. Kjo do të mundësojë vazhdimin e procesit me hapjen e kapitujve. Nuk është reale të mendohet se me anashkalimin e këtij hapi do të ndodh magji për vazhdimin e procesit.”, - theksoi euroambasadori, Dejvid Gir.
Halili: Elita politike nuk lufton korrupsionin
Kryetari i këshillit të ambasadorëve, Muhamed Halili kritikoi elitën politike se nuk lufton korrupsionin, andaj kërkoi ndihmën e BE-së. Por, nga qeveria konsiderojnë se beteja duhet nisur nga brenda.
“Disa parti politike kanë lista të rrogave për aktivistë, të cilët pa shkuar në punë janë në funksion të partisë gjatë zgjedhjeve. Në një vend ku kandidatët për prokurorë të ardhshëm blejnë vërtetime për njohjen e gjuhës angleze, s’kanë provime gjyqësore dhe fakultet; në një vend ku lajm kryesor është punësimi i grave të ministrave, fëmijëve të kryetarëve, aty nuk ka perspektivë.”, - theksoi kryetari i këshillit të ambasadorëve, Muhamed Halili.
Mariçiq: Korrupsioni të luftohet nga brenda
“Ne nuk mund që pa plan të qartë për anëtarësim dhe vullnet për reforma nga vetë ne, të presim sukses pa marrë parasysh se kur do ta vendosim afatin kohor drejt anëtarësimit.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për eurointegrim, Bojan Mariçiq.
Mariçiq thekson se nevojitet konsensus nga të gjitha partitë për kushtet që realisht janë në tavolinë, bashkë me skriningun në nëntor të përfundojnë ndryshimet kushtetuese.
MERAL ISMAILI
