Maqedoni

Ende asnjë rast me “Kraken” në RMV, Ollumçev: ngatërrohet lehtë, ka simptoma si grip

12.01.2023 15:31

Vetëm 10 ditë u deshën që variant i ri i virusit Omikron nga Amerika të përhapej në Evropë...

Vetëm 10 ditë u deshën që variant i ri i virusit Omikron nga Amerika të përhapej në Evropë. Pritet të paraqitet mutacion i ri akoma më ngjitës, thotë epidemiologu Ollumçev. Tani për tani “Kraken” nuk është prezent në vend, por pritet të shfaqet për një javë apo më së shumti 10 ditë. Kraken ka pasqyrë identike me Omikronin, por edhe ngatërrohet lehtë me gripin.
 
“Ky lloj jep një pasqyrë klinike konfuze, sepse bart simptomat e njëjta me gripin sezonal, prandaj këtu kemi komponentë konfuze. Nuk mundet lehtë të identifikohet, ndoshta edhe sepse testet nuk janë të dizajnuara për këtë lloj të virusit.”,- tha epidemiologu Sashko Ollumçev.
 
Vaksinimi, mbrojtja e vetme nga çdo variant i ri
 
Më së shumti preken personat që janë me shëndet të brishtë. Vaksina është mënyra e vetme për t’u mbrojtur. Ollumçev nuk pret të ketë shumë pacientë të shtruar në spitale, mirëpo ambulancat pritet të jenë të mbushura me të infektuar, sidomos nëse janë persona që punojnë dhe kjo mund të reflektojë në ekonominë e vendit.      
 
“Besoj se kemi fituar imunitet kolektiv me vaksinimin normal, apo kur kemi kaluar virusin.  Duam apo jo,  virusi do të qarkullojë edhe te ne, megjithatë do të ndeshet me një pengesë të mirë solide me vaksinimin e mëtejshëm.”,- theksoi Ollumçev.
 
Teksa vendi i druhet mutacionit të ri, OBSh paralajmëron për një rigjallërim të pandemisë Covid në Kinë, gjë që do të ndryshojë mesa duket planet e qytetarëve kinezë për pushimet e Vitit të Ri Kinez, të cilat zyrtarisht fillojnë më 21 janar. Paralajmërimet vijnë vetëm një muaj, pasi Kina hoqi bllokadën masive që shkaktoi reagime dhe protesta. 
 
FITORE DEMOLLI