Maqedoni

Kovaçevski: Rrymë do të ketë dhe çmimi nuk do të rritet

12.01.2023 16:13

Të gjitha kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike në vend janë në funksion dhe punojnë....

Të gjitha kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike në vend janë në funksion dhe punojnë. Qytetarët të jenë të qetë, rrymë do të ketë pa kufizime dhe çmimi nuk do të rritet, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, gjatë një vizitë pune në Kombinatin e Minierave dhe Energjetikës në Manastir.
 
“Sot, pas shumë dekadave, të gjitha kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike në shtet janë në funksion. Kjo do të thotë tri blloqet në Manastir, Osllomej, CTE Negotinë, Energjetika dhe të gjitha stacionet e tjera më të vogla të EMV-së janë në funksion dhe prodhojnë energji elektrike për amvisëritë dhe të tregut të rregulluar.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Me këtë, prodhimi vendor do të arrijë në 20 mijë megavat në orë, informoi drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski, që sipas tij është shifër e përafërt me prodhimin që ishte në kohërat më të mira në Maqedoninë e Veriut. 
 
“Kjo do të thotë se me këtë prodhim ditor të energjisë elektrike përmbushin para se gjithash konsumin e nevojshëm apo kërkesën për energji elektrike nga EVN Home për furnizuesin universal, përkatësisht tregun e rregulluar, elektro-distribuimin, MEPSO-n, shkollat, spitalet, ndërmarrjet komunale dhe të gjitha institucionet vitale në shtet për të cilat EMV morri përsipër që të siguroj energji elektrike.”, - theksoi drejtori në EMV, Vasko Kovaçevski. 
 
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi shfrytëzoi këtë rast për të hedhur fjalë drejt liderit të opozitës maqedonase. 
 
“Kemi politikanë që janë edhe elektro-inxhinierë  dhe kanë drejtuar me EMV-në dhe nuk arritën që ta bëjnë këtë, ky ekip arriti. Të gjithë ato që thanë se nuk do të vihen në funksion të gjitha kapacitetet prodhuese dhe se do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, tani bien në ujë.”, - u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Autoritetet sigurojnë se kanë siguruar edhe nevojën për furnizim me gaz në vend. 
 
ERSAN PAJAZITI