Botë

Kurti: Asociacionin nuk e lejon kushtetuta

12.01.2023 18:05

Deklarata e këshilltarit të lartë të DASh, Derek Chollet, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe...

Deklarata e këshilltarit të lartë të DASh, Derek Chollet, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ai është një detyrim ligjor, ka hasur në reagimet e  politikës kosovare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Vjena ku po qëndron për vizitë zyrtare ka pohuar se çështja e Asociacionit mund të adresohet në planin franko-gjerman, tashmë i quajtur plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, por shtoi se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion një-etnik.
 
“Më 9 shtator të vitit të kaluar, e kemi pranuar këtë propozim, ne besojmë që është bazë e mirë ky propozim për të vazhduar tutje në negociata. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti Ahtisaari, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një etnik. Asociacionet mono-etnike nuk janë në frymën e atij plani. Ne megjithatë ofrojmë të drejta për të gjitha pakicat. Jam shumë i angazhuar në këtë drejtim, por pa nënvlerësuar kushtetutshmërinë e Republikës sonë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Vuçiq: ShBA t’i kërkojë Prishtinës t’u përmbahet detyrave
 
Këshilltari special në Departamentin e Shtetit, Derek Schole ka takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Cholea theksoi se ShBA-të janë të përkushtuara që të fokusohen në agjendën sipas së cilës Beogradi dhe Prishtina duhet të fokusohen në bisedimet për të ashtuquajturën “Propozimin franko-gjerman” për zgjidhjen e krizës si dhe për formimin e shpejtë të Asociacionit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pret që ShBA-ja të inkurajojë Kosovën që “të përmbushë obligimet e saj në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”.
 
“Shpreha pritjen që ShBA-ja të njohë përpjekjet e vendit tonë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe të përdorë ndikimin e saj të padyshimtë dhe të inkurajojë Prishtinën që të përmbushë obligimet e saj në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara, por edhe të vazhdojë dialog në frymën e shkëmbimit të sinqertë dhe të hapur të propozimeve për zgjidhjen e sfidave specifike”, shkroi Vuçiq në Instagram më 12 janar pasi postoi një fotografi të përbashkët me Cholletin.
 
Cholleti qëndroi në Prishtinë para vizitës në Beograd. Në Kosovë ai bëri të qartë që marrëveshja finale Kosovë-Serbi në qendër duhet ta ketë njohjen reciproke, ndërsa shprehu pritjet që Qeveria e Kosovës të paraqesë propozime në tavolinë, për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
 
FITIM KRYEZIU