Botë
Chollet në Beograd: Të ndalet aktiviteti i grupit ushtarak rus “Wagner”
13.01.2023 10:15
I dërguari i lartë amerikan Derek Chollet shprehu të enjten shqetësimin e fortë për aktivitetin e grupit të kontraktorëve privatë ushtarakë...

I dërguari i lartë amerikan Derek Chollet shprehu të enjten shqetësimin e fortë për aktivitetin e grupit të kontraktorëve privatë ushtarakë “Wagner Group” dhe për përpjekjet që mendohet se po bën ky grup për të rekrutuar ushtarë në Serbi dhe vende të tjera.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit e i ka shprehur këto shqetësime gjatë bisedimeve në Beograd me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
“Kemi parë se Grupi Wagner po përpiqet të rekrutojë ushtarë nga Serbia dhe gjetiu, dhe kjo është diçka që ne mendojmë se nuk mund të vazhdojë”, u tha ai gazetarëve pas takimit.
Grupi Wagner, në pronësi të oligarkut rus Yevgeny Prigozhin, ka qenë aktiv në dhjetëra vende, përgjithësisht të Afrikës, duke bashkëpunuar me qeveritë për propagandën pro-ruse dhe për projekte të tjera ushtarake dhe politike.
Ky grup është mburrur për praninë në Serbi, që është i vetmi vend evropian, krahas Bjellorusisë, që nuk iu është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë. U njoftua se ky grup kishte shpallur edhe çeljen e zyrave në Beograd, por më vonë kjo gjë u mohua. Chollet i bëri gjithashtu thirrje Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
