Maqedoni

Moszbatimi i gjuhës shqipe në Gazi Babë, kreu i komunës arsyetohet me procedurat

13.01.2023 13:22

Zbatimi i gjuhës shqipe po ngec në nivel lokal.....

Zbatimi i gjuhës shqipe po ngec në nivel lokal. Shembull është komuna e Gazi Babës, në të cilën moszbatimi vërehet nga tabela kryesore. Kryetari i komunës Boban Stefkovski thotë se janë duke vijuar procedurat për ndryshimet dhe zbatimin e gjuhës shqipe bazuar në rezultatet e fundit të regjistrimit të popullsisë.
 
“Unë konsideroj se gjuha shqipe po zbatohet dhe veprimi im i deritanishëm, dëshmoi se qytetarët nuk duhet t’i ndajmë në asnjë bazë. Kemi procedurë të cilën duhet ta realizojmë dhe normalisht sipas regjistrimit të vitit të shkuar do ta zbatojmë si pushtet vendor. Kemi formuar grup pune nga komuna dhe agjencia për zbatimin e gjuhëve të cilët janë në komunikim ditor dhe bëjnë prioritete sa i përket procedurave që duhet të zbatojë pushteti lokal.”, - deklaroi kryetari i komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski.
 
Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, ironizoi vonesën e zbatimit të dygjuhësisë duke thënë se ndryshimi do të vijojë së shpejti.
 
“Sigurisht që nëse kryetari i komunës ju premton se mundet për tre muaj të ndërtojë rrjetin e kanalizimit, atëherë mundet më shpejt që t’i ndërrojë tabelat.”, - theksoi ministri i ambientit, Naser Nuredini.
 
Zbatimi i gjuhës shqipe më shumë se tre vite nga miratimi i ligjit, respektohet sipas dëshirës apo nuk zbatohet fare. Madje edhe web faqet e institucioneve ose mbajnë informacione të gjysmuara, ose fare nuk azhurnojnë të njëjtat në gjuhën shqipe edhe pse për institucionet që nuk respektojnë ligjin, janë parashikuar gjoba deri në 5 mijë euro.

MERAL ISMAILI