Maqedoni

Arratisje si në filma nga burgu i Idrizovës, MBP: Po merren masa për zbardhjen e rastit

13.01.2023 14:43

Një i dënuar me 21 vjet heqje lirie, nga të cilat 19 për një vrasje 6 vjet më parë në Reçicë të vogël...

Një i dënuar me 21 vjet heqje lirie, nga të cilat 19 për një vrasje 6 vjet më parë në Reçicë të vogël  dhe 2 të tjerat për një ngjarje tjetër, është arratisur nga burgu i Idrizovës. 36 vjeçari Bekim Memeti ka kërkuar të dërgohet në spital, dhe drejtuesit e burgut ia kanë mundësuar një gjë të tillë, por gjatë rrugës, ai ka rrëmbyer pistoletën dhe ka plagosur njërin prej shoqëruesve, e është arratisur me mjetin që i preu rrugën furgonit të policisë. Nga MPB thonë se “po merren masa për zbardhjen e rastit”.
 
“Gjatë shoqërimit të të dënuarit B.M. , nga INP “Idrizovë” në Qendrën Urgjente “Nënë Tereza”, në autostradë, i dënuari ia ka marrë armën shoferit I.H., ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur I.H. Më pas i dënuari është arratisur me një automjet pasagjerësh Audi.”, thonë nga MPB.
 
Ministria e drejtësisë: Mbikëqyrje e jashtëzakonshme për lëshimet
 
Edhe nga Ministria e Drejtësisë thonë se do të kryhet mbikëqyrje të jashtëzakonshme për të përcaktuar lëshimet gjatë transportit.
 
“Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve do të kryejë mbikëqyrje të jashtëzakonshme në INP “Idrizovë” dhe do të ndërmerr masat përkatëse për të gjitha parregullsitë e konstatuara,  në mënyrë që të konstatohet se përse nuk është ofruar ndihmë policore për përcjelljen në spital. Njëkohësisht do të përcaktohet nëse ka përgjegjësi për organizimin e përcjelljes së të dënuarit, si dhe për lëshimet që çuan në një përfundim të tillë të gjithë ngjarjes.”, theksojnë Ministria e Drejtësisë.
 
Arratisja nga burgu, prokuroria publike lëshon urdhër arresti
 
Për të burgosurin e arratisur është lëshuar një urdhër arrest i përgjithshëm.
 
“I dënuari është duke u kërkuar nën dyshimin se ka kryer vepër penale-vrasje në tentativë ndaj zyrtarit. I plagosuri i policisë së burgjeve është ndalur për mjekim, ndërsa tre të tjerët të cilët kanë qenë në drejtim të personit të dënuar dhe komandanti i turnit të tyre janë të ndaluar në stacionin policor. Gjithashtu, disa persona të tjerë janë thirrur për të dhënë dëshminë e tyre për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Prokurori publik urdhëroi menjëherë që të sigurohen inçizimet nga video-përgjimi në INP “Idrizovë” – Shkup, si dhe listimet nga telefonat celularë të zyrtarëve.”, njofton Prokuroria Publike.
 
Kjo nuk është arratisja e parë e tij. Në dhjetor të vitit 2008,  Memeti, atëherë 21 vjeç, u arratis kur duhej të vuante dënimin. Memeti u kthye në burg për rreth 2 vite, pasi u arrestua në Gjermani në prill të vitit 2020 dhe u ekstradua në vend.
 
NAIM RAMADANI