Maqedoni
Raporti i inspektoratit, Nuredini: Nëse ka lëshime, do të ketë sanksione!
13.01.2023 15:29
Ministria e Mjedisit Jetësor po shqyrton raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm në fabrikën e çimentos...

Ministria e Mjedisit Jetësor po shqyrton raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm në fabrikën e çimentos “Titan – Usje”. Ministri i Mjedisit, Naser Nuredini, premton se nëse do të ketë ndonjë lëshim eventual, do të ketë edhe sanksione.
“Ka pasur inspektim të jashtëzakonshëm në “Usje”, me kërkesë të institucioneve shtetërore dhe të Qytetit të Shkupit. Rezultatet i kemi, tani ne e shqyrtojmë raportin dhe do të vazhdojmë me ato procedura që nevojiten me ligj dhe nëse ka ndonjë lëshim, do të ketë edhe sanksione për atë ndërmarrje. Në tërësi, në mënyrë transparente do ta prezantojmë, kur raporti do të shqyrtohet dhe komisioni do ta shqyrtojë tërësisht.”, - theksoi ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini.
Nuk mohoi akuzat e kryetares së Shkupit, Danella Arsovska ndaj fabrikës “Usje”, por tha se si ministri nuk do të ngrenë kallëzim penal ndaj askujt. Thotë se duhet ndryshuar mënyra e ngrohjes.
“Strategjia jonë në qeveri, për të bërë një ndryshim në mënyrën e ngrohjes së objekteve publike, është ajo që të mbështesim qytetarët tanë që të bëjnë ndryshim, në ngrohjen e banesave. Por, çelësi i të gjithë problemit do të jetë rrjeti dytësor dhe terciar i gazsjellësit në vendin tonë.”, - u shpreh ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini.
Sipas një analize që zgjati një vit, 35 deri në 45 për qind e ndotjes në qytetin e Shkupit vjen nga djegia e biomasës e në vend të dytë janë automjetet e vjetra.
ERSAN PAJAZITI
