Maqedoni

Mickovski: S’kemi mandat të ndryshojmë kushtetutën

13.01.2023 15:44

Ndryshimet kushtetuese vazhdojnë të mbeten peng të qëndrimeve të betonuara të partive politike.....

Ndryshimet kushtetuese vazhdojnë të mbeten peng të qëndrimeve të betonuara të partive politike. Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickovski thotë se nuk ka asnjë ndryshim në këtë plan. Askush nuk ka mandat të ndryshojë aktin më të lartë juridik, thotë Mickovski, pasi sipas tij, kjo çështje nuk është verifikuar në zgjedhje. Për këtë arsye përsëriti kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
 
“Nuk duhet të prisni që ky qëndrim të ndryshojë. Qëndrimi është se ky parlament s’ka mandate të ndryshojë Kushtetutën, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në krijimin e asaj marrëveshjeje, as nuk është pajtuar me atë marrëveshje dhe as që ka dalë para qytetarëve që të premtojë ndryshime kushtetuese. Kështu që, sa më shpejtë duhet të ndodhin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Kovaçevski: S’ka kohë për përkrahje deklarative të integrimit
 
Kryeministri Kovaçevski nga ana tjetër është optimist se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin. Ftoi opozitën që të dëshmon në vepër përkrahjen për anëtarësim në BE. 
 
“Nuk ka hapësirë për përkrahje deklarative të integrimit në BE siç mendon dikush. Tani duhet përkrahje e vërtetë politike për qasje në BE, pasi frenimi i një procesi të tillë d.m.th. se shteti për herë të parë do të frenojë veten. Deri në dhjetorë ka 10 muaj dhe nuk mendoj se është periudhë e shkurtër. Për 10 muaj mund të bëhen shumë punë pozitive. Gjithsesi, çdokush duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të jetë në nivel të detyrës. Unë s’jam këtu për të bind dikë, por për të zbatuar strategjinë dhe qëllimet që vendi i ka përcaktuar para 31 vjet.”, -  kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Kovaçevski nuk përjashtoi mundësinë për një takim të ri liderësh, por tha se për momentin një takim i tillë nuk është planifikuar.
 
Në bllokun e partive shqiptare nuk ka asnjë dilemë rreth procesit integrues dhe sfidave që duhet tejkaluar, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese. Të gjitha partitë shqiptare janë deklaruar njëzëri pro integrimit në BE dhe pro ndryshimeve kushtetuese. 
 
SHPËTIM NUREDINI