Rasti "Onishçenko", pritet raporti i drejtorit të ri të ASK-së
Drejtori i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Zarko Milloshevski....

Drejtori i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Zarko Milloshevski, duhet të raportojë në qeveri në një seancë të mbyllur, në lidhje me hetimin për dështimin e agjencisë në rastin “Onishçenko”.
Kryeministri Kovaçevski nuk ka specifikuar se kur do ta dorëzojë raportin drejtori i ri i ASK-së, sqaroi shkurt se do jetë në një nga seancat e ardhshme.
“Drejtori i ri i ASK-së i është referuar tashmë Komisionit për Mbikëqyrjen e Shërbimeve të Sigurisë në Kuvend. Unë normalisht nuk kam raport nga ajo mbledhje, por në njërën nga seancat e ardhshme të Qeverisë, duke pasur parasysh se nuk ka përfunduar prezantimi i drejtorit të mëparshëm, i riu do të duhet të dorëzojë raport në Qeveri, natyrisht në një seancë të mbyllur.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Postet vakante të ambasadorëve, Kovaçevski: Ka procedura për emërime specifike
Rasti “Onishçenko” që e vuri në pikëpyetje emërimin e ish-drejtorit të ASK-së, Viktor Dimovski si ambasador në Paris. Kjo çështje mbetet ende e hapur. Akreditimi dhe dërgimi i ambasadorëve nuk është diçka që komentohet në publik, sqaron Kovaçevski.
“Aktualisht kemi disa pozita vakante në kryeqytetet kyçe evropiane që janë partnerët tanë strategjikë dhe natyrisht në kuadër të kompetencave tona, së bashku me Presidentin dhe Ministrinë e Jashtme jemi duke u konsultuar për plotësimin e këtyre pozitave. Sa i përket emërimeve dhe referimeve specifike, kjo bëhet në bazë të një procedure të plotë të përfunduar dhe besoj se kështu duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Dimovski dha paraprakisht raport në Komisionin amë në kuvend për pëlqimin për dhënien e shtetësisë maqedonase për ukrainasin kontrovers që gjendet në listën e zezë të ShBA-së. Por, seanca u ndërpre, për shkak të shkeljes së sigurisë, pasi në kanalin e Kuvendit në You Tube doli audio e një pjese të prezantimit të tij. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
