Beteja të ashpra për Soledarin, Rusia pretendon se e ka pushtuar
Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në rajonin e Donbasit....

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në rajonin e Donbasit. Rusia ka shenjëstruar qytetin Soledar dhe pretendon se ka marrë nën kontroll qytetin e minierës së kripës pas një beteje disamujore, duke e quajtur atë një hap “të rëndësishëm” për ofensivën e saj.
“Marrja e Soledarit u bë e mundur për shkak të sulmeve të vazhdueshme të zjarrit të nisura ndaj armikut nga sulmi tokësor dhe aviacioni i ushtrisë, trupat raketore dhe artileria e grupit të forcave ruse.”, - deklaroi zëdhënësi rus i ministrisë së mbrojtjes, Igor Konashenko.
Zyrtarët ukrainas thanë se lufta për Soledarin ishte ende duke vazhduar dhe akuzuan Rusinë për “informim të rrejshëm”. Betejat rreth Soledarit me grupin rus Wanger, kanë qenë nga më të përgjakshmet e luftës, njoftojnë autoritetet ukrainase.
“Luftimet për mbrojtjen e Soledarit, mund të konsiderohen një nga betejat më të vështira. 559 civilë, përfshirë 15 fëmijë, mbetën në qytet dhe nuk mund të shpërnguleshin, sepse qyteti është i rrethuar, por ushtria vazhdon të rezistojë.”, - u shpreh guvernatori i Soledarit, Pavlo Kyrylenko.
“Ne nuk do të dorëzohemi kurrë, është Soledari ynë, është qyteti ynë dhe nuk do t'ia japim askujt!". – tha një ushtar.
Zëdhënës i komandës ushtarake lindore të Ukrainës, tha se Rusia ka dërguar luftëtarët e saj më të mirë mercenarë dhe njësi të tjera në Soledar. Presidenti Volodymyr Zelensky përshkroi Soledarin, Bakhmut dhe mbrojtjen më të gjerë të rajonit Donetsk të Ukrainës lindore si çështjen kryesore. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
