Edhe një viktimë nga gripi në vend, Mjekët: më të prekur, fëmijët dhe të moshuarit
Gripi, në kombinim me viruset sezonale....

Gripi, në kombinim me viruset sezonale, infeksionet e mushkërive dhe ftohja janë arsye e rritjes së numrit të pacientëve dhe stërngarkimit të ambulancave në vend, konfirmojnë mjekët. Simptomat e pacientëve kryesisht janë temperaturë e lartë dhe probleme me frymëmarrjen, ndërsa më të prekur janë fëmijët dhe të moshuarit.
Ajri i ndotur vazhdon të jetë një nga shkaqet e të gjitha këtyre infeksioneve.
“Numri më i madh i këtyre infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes janë të etiologjisë virale dhe ato viruse janë kryesisht viruse sezonale që mbizotërojnë në këtë periudhë kohore. Do të veçoja edhe virusin e gripit që është aktual për momentin. Tek fëmijët kemi sëmundje nga virusi sincicial respirator, pra kemi bronkolitin e fëmijëve.”, - u shpreh mjeku, Stefan Tashkov.
Javën e parë të janarit janë regjistruar 821 raste me grip, por edhe viktima e parë e gripit për këtë vit.
Një 65-vjeçar nga Shkupi i shtruar në Klinikën Infektive humbi jetën nga gripi i tipit A/N3. Ai nuk ishte i vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal e u konstatua prania e sëmundjeve shoqëruese (kardiovaskulare dhe pulmonare).
Raporti i IShP-së tregon se në një javë ka pasur 2.4 herë më shumë raste krahasuar me javën paraprake të monitorimit.
Më shumë të sëmurë ka në Manastir - 174, Shkup - 105, Kavadar - 94, Dibër - 76 dhe Gostivar - 65, ndërsa në pjesën tjetër numri i rasteve të raportuara ka qenë më pak se 60. (Sanije Duraku, TVM2)
