Botë
BE, “ultimatum” Malit të Zi: Jo skemës së dhënies së shtetësisë ekonomike
14.01.2023 15:53
Zëdhënësja e Këshillit Evropian, Ana Pisonero Hernandez thotë se Mali i Zi...

Zëdhënësja e Këshillit Evropian, Ana Pisonero Hernandez thotë se Mali i Zi, si vend kandidat i BE-së, duhet të përmbahet nga çdo masë që mund të rrezikojë arritjen e qëllimeve të Bashkimit Europian, përfshirë edhe përdorimin e skemës për dhënien e shtetësisë ekonomike.
“Ne monitorojmë nga afër ngjarjet që mund të kuptohen si anashkalim i masave të aplikuara në kuadrin e politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Ne mirëpresim vazhdimin e përafrimit të plotë të Malit të Zi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe angazhimin e tij për zbatimin e plotë të masave kufizuese të BE-së", deklaroi mbrëmë zëdhënësja e BE-së, Ana Pisonero Hernandez.
Komisioni Europian e ka këshilluar vazhdimisht Malin e Zi që të heqë skemën e shtetësisë për investitorët dhe se Mali i Zi është zotuar ta bëjë këtë deri në fund të vitit 2022, për shkak të rreziqeve që paraqet, si pastrimi i parave, evazioni fiskal, financimi i terrorizmit, korrupsioni dhe infiltrimi i krimit të organizuar. Në vitin 2021, Mali i Zi ka pranuar 241 aplikime për 807 persona për marrjen e shtetësisë në bazë të investimeve.
Mbi këtë bazë, deri në dhjetor 2021 janë lëshuar 264 pasaporta malazeze. Programi, i planifikuar të zgjasë tre vjet, filloi në vitin 2019 nga qeveria e mëparshme e Partisë Demokratike të Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviq. Në tre vjet , synohej të “shiten” 2000 pasaporta, por për shkak të interesit të ulët, Qeveria e Zdravko Krivokapiqit, planifikoi ta anulojë programin në fund të vitit 2021.
Mirëpo, më 30 dhjetor 2021 u vendos që programi të zgjatej deri në fund të vitit 2022 , me shpjegimin se investitorët nuk kishin kohë për të përfunduar projektet për shkak të krizës me pandeminë COVID-19.
