Maqedoni
Qentë endacakë në Strugë, aktivistët: Zgjidhje institucionale, jo vrasje
14.01.2023 17:23
Qentë endacakë vazhdojnë të jenë një nga problemet kryesorë në qytetin e Strugës...

Nëpër rrugë ka qindra të tillë nga të cilët qytetarët ndjehen të rrezikuar. Ata kanë kërkuar vazhdimisht nga institucionet përkatëse që të zgjidhin këtë çështje por ky problem vazhdon të mbetet aktual.
Por vrasja e para disa ditëve e qenve endacakë nga një person me arsyetimin se janë të rrezikshëm, ngjalli indinjatën e opinionit public dhe aktivistëve për mbrotjen e kafshëve, që thonë se vrasja është akt makabër e jo zgjidhje e problemit
“Duhet të ngrihet ndërgjegjja tek njerëzit, sepse këto qen endacakë, janë aty në rrugë vetëm nga faktori njeri. Duhet të zgjidhet ky problem, situata është alarmante, duhet urgjent të zgjidhet problemi me qentë endacak. Ne që jemi aktivistë dhe adhurues të kafshëve, që jemi pjesë e shoqatave për mbrojtjen e kafshëve apsolutisht nuk e arsyetojmë të ketë grumbullime të qenve në rrugë, por ne jemi që ato qen të largohen dhe institucionet ta zgjidhin problemin”, u shpreh aktivistja për të drejtat e kafshëve Snezhana Bilko.
Merko: Problemi duhet të zgjidhet në nivel shtetëror
Nga komuna e Strugës thonë se vrasja e qenve ngre alarmin për zgjidhje institucionale të problemit shumë vjeçar. Por derisa ditë më parë kryeministri Kovacevski u apeloi krerëve të komave që vetë ta zgjidhin këtë problem, Merko thotë se problemi duhet të zgjidhet në nivel shtetëror.
“Çdoherë kemi thënë se nuk ka zgjidhje parciale për trajtimin e qenve endacakë,por përsëri ne na ka mbetur barra. Është situatë alaramante, jo vetëm në Strugë po gjithandej. Komuna e Strugës dhe ndërmarrja komunale , jep qindra mijëra euro ndaj njerzve që janë kafshuar, ka për çdo ditë raste të kafshimit të qytetarëve , me të vërtetë është alarmante edhe prindërit kanë frikë t’i çojnë fëmijët në shkollë. T’i bashkojmë forcat të gjithë, të na jepen instruksione si ne prapë qëndrojmë që të ndajmë mjete për situata të tilla”, theksoi kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Nga qeveria lajmëruan se do të kërkojnë ndihmë nga Brukseli për zgjidhjen e përhershme të këtij problemi. Aktivistët këmbëngulin për ndryshime ligjore. Nga komuna e Strugës thonë se janë të gatshëm të vënë të gjithë mekanizmat në funksion, duke qenë se gjithmonë kanë adresuar kërkesë për zgjidhjen e problemit.
Nga atje kanë bërë publike edhe përgatitjen e projektit për një strehimore për qentë endacakë, duke kërkuar mbështetjen e qeverisë për realizimin e këtij projekti.
ILMIJE ZHAKU
