Maqedoni

Kumanovë: S’ka makinist, nuk qarkullon treni Shkup-Tabanoc

14.01.2023 17:41

Nga data 4 janar e këtij fillim viti, sërish është ndërprerë linja e rregullt hekurudhore Shkup-Tabanoc...

Shkak për këtë është mungesa e makinistit. Për ndërprerjen e linjës së rregullt njohtuan banorët e fshatrave Rramanli, Tabanoc dhe vendeve të tjera, të cilët pas festave të vitit të ri kanë dashur t’i ripërtërijnë biletat mujore.
 
Një gjë e këtillë ka alarmuar qytetarët e Kumanovës dhe rrethinës, të cilët ndër vite punojnë në Shkup, kurse udhëtimin me tren e kanë transportin më të lirë të mundshëm.
 
“Kërkojmë që të funksionojë lidhja hekurudhore prej Shkupit e deri në Tabanoc, posaçërisht për banorët e fshatit Rramanli e Çerkez pasi që kemi një pjesë të studentëve dhe punëtorëve që punojnë e studiojnë në Shkup, ppor kemi edhe nxënës që shkojnë në shkolla të mesme, këtu kemi më së shumti banorë që janë punëtor në Shkup pasi që udhëtimi me tren është më efikas, më i shpejt por ajo që është më me rëndësi është më lirë sa i përket kostos së udhëtimit”, tha mes rjerash një banor i fshatit Rramanli.
 
“Nuk kemi transport, djali shkon për në Shkup çdo mëngjes duhet të kërkoj mjete transporti, nuk funksionon për momentin linja hekurudhore unë nuk e di përse. Që nga ora 5 e mëngjesit duhet të zgjohet për të siguruar transport për të udhëtuar deri në Shkup, me autobus nuk po kemi mundësi pasi biletat po kushtojnë shumë diku mbi 200 denarë, pastaj po duhet me dal deri tek autostrada më këmbë për të siguruar transport”, tha një banore e fshatit Rramanli.
 
Banorët: Të kthehet linja, me tren ëshë më lirë 
 
Banorët e rajonit të Kumanovës shprehen të revoltuar dhe thonë se në vend se të rritet numri i linjave për në Shkup, transporti me tren ndërpritet Tërësisht transporti me tren është dukshëm më lire në krahasim me atë me autobus, pasi që bileta kthyese Kumanovë – Shkup – Kumanovë kushton 120 denarë, përballë biletës njëdrejtimëshe me autobus që kushton madje 170 denarë.
 
Kohëve të fundit numri i pasagjerëve që shfrytëzojnë transportin hekurudhor është rritur dukshëm pas subvencionimit për transport gratis të disa kategorive të qytetarëve.
 
FATLUM AQIFI