Maqedoni

Memeti u ndihmua nga policët të arratiset, paraburgim 8 ditor për tre nga të dyshuarit

14.01.2023 18:16

Komandanti dhe tre policët e punësuar në burgun e Idrizovës dyshohet se kanë ndihmuar për arratisje Bekim Memetin...

Komandanti dhe tre policët e punësuar në burgun e Idrizovës dyshohet se kanë ndihmuar për arratisje Bekim Memetin, të dënuar për vrasje në tentativë dhe drogë. Tashmë kundër katër zyrtarëve të KPU Idrizovë është ngritur kallëzim penal për veprën “Lirim i paligjshëm i personit të privuar nga liria” nga neni 373 i Kodit Penal. 4 të dyshuarit nuk kanë respektuar procedurat e shoqërimit të të dënuarit. Ata dyshohen për një krim të dënueshëm nga tre deri në pesë vjet burg. 
 
“Më datë 12.01.2023 rreth orës 22.50, i dënuari B.M., me planifikim dhe  në marrëveshje me punonjësit e policisë së burgjeve dhe persona nga jashtë, është lënduar duke shkaktuar  një prerje në dorën e majtë, pas së cilës është dërguar në infermierinë e institucionit,  nga ku B.M. i është dhënë rekomandimi të transferohet në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”-në urgjencë, me qëllim mjekimin e plagës. Për ngjarjen ka qenë në dijeni komandanti i turnit, i denoncuari S.D., i cili ka urdhëruar përgatitjen e urdhrit për shoqërimin nga KPU Idrizovë në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” për personin e dënuar nga punonjësit e policisë së burgjeve T.A., I.A. , T.P. dhe I.H”, u shpreh zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski. 
 
Edhe pse procedurat kërkojnë që për shërbim mjeksor jashtë, shërbimi i burgjeve duhet të kërkojë ndihmë nga MPB, e automjeti të shoqërohet nga një patrullë policie, ata nuk e kanë bërë këtë, konfirmojnë edhe nga  Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin.
 
“I dyshuari i parë - komandanti në detyrë ka urdhëruar se cilët policë të burgut duhet ta përcjellin të dënuarin në institucion shëndetësor dhe kush ku duhet të ulet gjatë përcjelljes. Jashtë rregullave, i dënuari vendoset në pjesën e mesme të automjetit. I dyshuari i dytë ka dhënë udhëzime për rutën dhe automjeti është nisur drejt Shkupit përmes autostradës Petrovec-Shkup. Kur iu afruan një pike karburanti të Lukoil, i dyshuari i dytë, i cili ishte ulur mes të dënuarit dhe të dyshuarit të tretë, filloi të lëvizte dhe me vetëdije e lejoi të dënuarin të përfitonte nga momenti dhe të arrinte t'i merrte pistoletën e shërbimit nga këllëfi me kopsa , teksa ai  ishte i lidhur me pranga. I dyshuari i tretë, i cili ishte i paarmatosur, edhe pse i ndiqte të gjitha këto, nuk ka  ndërmarrë asnjë masë“, theksojnë nga  Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
 
Me kërkesë të Prokurorit, gjykatësi i procedurës paraprake tre të dyshuarve u ka caktuar masën e paraburgim në kohëzgjatje prej 8 ditësh, ndërsa të dyshuarit të katërt i është caktuar masa e kujdesit, ndalim për dalje nga vendbanimi dhe konfiskim i përkohshëm i një dokument udhëtimi për kalim kufuri. 
 
SANIJE DURAKU