Maqedoni
Vrasjet brenda familjes, ekspertët: Problemet nuk duhen fshehur, ndryshe ka pasoja
14.01.2023 18:34
Papunësia, jeta nën të njëjtën çati e disa brezave, pamundësia e pavarësisë...

Papunësia, jeta nën të njëjtën çati e disa brezave, pamundësia e pavarësisë, janë këto disa nga faktorët që kontribuojnë në tensionin, konfliktin dhe shpërthimet e agresionit në familje, analizojnë ekspertët.
Teksa opinion mbetet ende i tronditur nga dy vrasje të prindërve brenda vetëm dy ditësh javën që lamë pas në Shkup dhe Kumanovë, ekspertët psikiatër thonë se edhe pse në dukje të dy rastet janë të ngjashme, rrjedha në vetvete është e ndryshme.
“Njëra nga vrasjet është kryer në një ambient familjar. Duket se vrasësi ka qenë shumë më i qetë, ka vrarë dy viktimat, ka fjetur, ka pasur plan për të vrarë një pjesëtar të tretë, ndaj ka bërë të ditur vetë se ka kryer vrasjen. Ndërsa vrasja tjetër më shumë duket sikur ka ndodhur për shkak të një konflikti në një gjendje të fortë tensioni psiqik”, u shpreh psikiatrja në spitalin e Kumanovës, Adriana Bogdanovska Toskiq.
Në rastin e çrregullimeve mendore është i nevojshëm diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi i vazhdueshëm. Ata u bëjnë thirrje familjeve që të mos i fshehin problemet, për të parandaluar pasoja të tilla tragjike. Dy ditë më herët, një person nga Shkupi i mori jetën nënës dhe gjyshes. Të dy personat janë arrestuar, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e rasteve.
SAFET ADEMI
