Maqedoni

VMRO kërkon dorëheqjen e Spasovskit: Ripunësoi policin e shkarkuar për rryshfet

14.01.2023 18:52

Për shkak të arratisjes së Bekim Mehmetit, VMRO-DPMNE-ja kërkon dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm...

Për shkak të arratisjes së Bekim Mehmetit, VMRO-DPMNE-ja kërkon dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski. Sipas tyre,  komandanti që ndodhej në turn në mbrëmjen kritike ishte një ish-polic në MPB i cili u shkarkua nga puna për shkak të veprës penale të marrjes së ryshfetit. Por, i njejti sipas opozitës nga Spasovski,  sërish është punësuar dhe avancuar në burgun e Idrizovës.
 
“Spasovski është përgjegjës për arratisjen e të burgosurit vrasës. Ai nuk është vetëm ministër i punëve të brendëshme, por është edhe ministri që e ktheu në punë komandantin Dimitrijevski pas kryerjes së një krimi dhe e emëroi në detyrë komanduese. Spasovski nuk mund t'i ikë përgjegjësisë. Spasovski duhet të përballet me pasojat e paaftësisë dhe kriminalitetit të tij. Dorëheqje menjëherë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. 
 
MPB: VMRO gënjen, s’kemi lidhje me policinë e burgjeve
 
Ministria e Punëve të Brendshme ,  akuzat e VMRO-DPMNE-së I quajti gënjeshta dhe analfabetizëm të plotë. 
 
“Edhe një gjysëm i ditur e di që Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka lidhje me policinë e burgjeve, është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, gjegjësisht Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve. Pra  ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, as nuk ka mundur dhe as nuk ka të bëjë me emërimin e komandantëve në burgun e Idrizovës, sepse ai tekstualisht  nuk ka asnjë autoritet për këtë”, thuhet në reagimin e MPB-së.
 
Nga kjo ministri kërkojnë që VMRO-DPMNE të kërkojë falje dhe të tërhiqet nga gënjeshtrat e që po përhap në opinion.
 
SANIJE DURAKU