Botë
24 vite nga Masakra e Reçakut, përkujtohen mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë
15.01.2023 14:27
Kosova përkujton sot 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë...

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit 1999, Reçaku u zgjua i rrethuar. Forcat serbe me artileri të rëndë bombarduan fshatin dhe vranë e masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe u futën në fshat dhe nisën bastisjet.
Pas Masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore për t’u mobilizuar për Kosovën.Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të Sllobodan Millosheviç.
Shefi i misionit të OSBE-së, Uilliam Ualker qw shkoi në vendin e krimit dhe e cilësoi atë: Krim kundër njerëzimit.
Pas Reçakut, çështja e Kosovës ishte pjesë e konferencës ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës ndikoi në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
