Maqedoni
“Grupi i zjarrit” akuzon ministrat, Ameti: Mendime ndryshe po, por jo anarki!
15.01.2023 15:51
Edhe pse lideri i BDI-së Ali Ahmeti thotë se në BDI nuk ka ndarje...

Edhe pse lideri i BDI-së Ali Ahmeti thotë se në BDI nuk ka ndarje, të pakënaqurit brenda kampit integrist, nga Manastiri thanë se nuk do të heshtin për dicka që nuk është e drejtë. Vazhduan akuzat për performancën e dobët të ekzekutivit të BDI-së.
“Gjysma e ministrave janë shqiptarë, 80 për qind nga resorët ekonomik janë shqiptarë dhe kur e krahasojmë punën e tyre del punë simbolike, minore. Shumë pushtet dhe aspak punë, shumë fotografi dhe shumë lëvdata dhe aspak afër popullit”, u shpreh nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti
“Shkëputja totale e ekzekutivit prej strukturave, e ministrave prej bazave partiake, prej qytetarëve ku buron edhe legjitimiteti, erdhi deri në këtë situatë që edhe në matjet e opinioneve publike edhe në debatet e brendshme të mos mund të llogaritetet në llogaridhënie, e llogaridhënia është kulm i demokracisë”, theksoi sekretari organizativ i BDI-së, Blerim Bexheti.
“Ne jemi për t’i korrigjuar dhe disiplinuar funksionarët, qofshin zëvendëskryeministra, drejtorë e zëvendës-drejtorë ... Nëse llogaria është e dobët duhet të kërkojnë falje para votuesve dhe anëtarësisë dhe do të zëvendësohen me të tjerë”, u shpreh kryetari i këshillit mbikëqyrës të BDI-së, Musa Xhaferi.
Kryeparlamentari Xhaferi i quajti të pandershme akuzat e grupit të të pakënaqurve. Zëvëndës kryeministri i parë Grubi, thotë se janë bërë punë që kishin ngecur me dekada.
“Këto aktivitete paralele që kanë filluar duhet të ndërpriten dhe shokët e miqtë tonë që për 20 vite kanë pasur autoritetin e pushtetin të mund para nesh të flasin për bëmat që kanë qenë dhe kur të japin raport do duhet të akuzojnë pastaj”, theksoi kryetari i parlamentit Talat Xhaferi.
“Hisen e marrim jo vetem me llafe por edhe me vepra...Punë që nuk janë bërë me dekada po bëhen tani. Kemi ndërtuar një ekip që na përfaqëson të gjithë me dinjitet”, theksoi zv/ryministri i parë Artan Grubi.
Kreu integrist është i prerë. Nuk ka ndërmend të tolerojë anarkinë në parti.
“Mendime ndryshe po, por jo anarki. Thuaje mendimin në institucione dhe në institucione vendos shumica, askush nuk jemi koka e Zeusit, por ama edhe imponime nuk ka. Duhet t’i bindesh shumicës. Mua nuk mund të më imponohet ultimatumi e as vija programore me platforma sepse ato i vendos kongresi dhe unë zbatoj ato vendime dhe përgjigjem para kongresit”, u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
E duke iu referuar pleshtit të përmendur nga nënkryetari Mexhiti në Studenican, nga Gostivari Ahmeti u kundërpërgjigj se vërtetë si thotë populli për një plesht nuk digjet jorgani, por për një plesht nuk mund të shkatërrohen as qeramidet e shtëpisë.
MIGENA GORENCA
