Maqedoni

Raporti për zvarritjen e proceseve gjyqësore, Koco: Jo vetëm konstatim, por kërkim përgjejësie

15.01.2023 16:09

Raporti i fundit i Këshillit Gjyqësor për zvarritjen e proceseve në Gjykatën e Apelit...

Raporti i fundit i Këshillit Gjyqësor për zvarritjen e proceseve në Gjykatën e Apelit, ka për qëllim inkurajimin e qytetarëve që të paraqesin krimin dhe korrupsionin edhe përkundër besimit të ulët në funksionimin e sistemit gjyqësor, vlerëson ish gjykatësja në gjykatën supreme Vera Koco.
 
Sipas saj ky është një hap para në rritjen e besimit, por që nuk mjaftojnë vetëm deklarimet publike të Këshilli Gjyqësor, por duhet evidentuar përgjegjësia.
 
“Puna e Këshillit gjyqësor nuk është vetëm të konstatojë gjendjen në gjykatën më të lartë sa I takon zvarritjes së lëndëve një kohë më të gjatë, por do të duhet edhe më tej të veprohet dhe të konstatohet përgjegjësia. Këshilli gjyqësor ka mundësi të ndërmarrë procedurë diciplinore. Masa përfundimtare të cilën do ta ndërrmer është që të ngrejë procedurë për shkarkimin e ndonjë gjykatësi”, u shpreh ekspertja juridike Vera Koco.
 
Zëvendës kryeministrja për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska ka kërkuar që fshehja e lëndëve nëpër sirtare të rishikohet edhe nga Prokuroria Publike. Ish gjykatësja Koco thotë se Prokuroria do të mund të vepronte vetëm nëse ka të konstatuar vepër penale të korrupsionit.
 
“Prokuroria merret me vepra penale për të cilat mund të shqiptohet edhe dënim me burg, megjithatë prokuroria në rastin konkret do të duhet vetëm të vlerësojë nëse ka ndonjë keqpërdorim, krim ose korrupsion atëherë edhe mund të veprojë”, theksoi Koco.
 
Ditë më parë Këshilli Gjyqësor raportoi se gjykata e apelit harroi në sirtar katër raste gjyqësore duke rrezikuar që ato të vjetrohen, sikurse lënda Target Fortesa për ish drejtorin e DSK-së Sasho Mijallkov, Thesari, Transportuesi dhe Alfa.
 
MERAL ISMAILI