Maqedoni

Kumanovë: 50% më pak interes për vaksinimin e fëmijëve

15.01.2023 16:45

Mos informimi i mjaftueshëm i prindërve ka ndikuar në uljen drastike të vaksinimit të fëmijëve...

Mos informimi i mjaftueshëm i prindërve ka ndikuar në uljen drastike të vaksinimit të fëmijëve sidomos të moshës parashkollore, nga Dispanzeri i fëmijëve pranë “ISHP Shtëpia e Shëndetit” Kumanovë alarmojnë për uljen drastike të vaksinimit të fëmijëve e në këtë kontekst edhe vaksinimit kolektiv të tyre e që më pas po vërehet edhe tek fëmijët e moshës shkollore.
 
Mos informimi apo dezinformimi i prindërve ka ndikuar që të ngurrojnë t’i marrin vaksinat “MPR” që shërbejnë kundër Fruthit, Shytave dhe Rubeolës .
 
“Kohët e fundit dukshëm ka rënë interesimi i prindërve për t’i vaksinuar fëmijët. Kjo si pasojë e mos informimit të mjaftueshëm për vaksinim andaj edhe ngurrojnë që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre sidomos tek moshat parashkollore , por kjo dukuri e mos vaksinimit më pas vërehet edhe në moshën shkollore të fëmijëve. Vaksinimi është mënyra më e mirë e mbrojtjes nga ndonjë sëmundje e caktuar si dhe për rritjen e imunitetit. Nuk e di ku qëndron arsyeja e një dezinformimi për mos vaksinim, sidomos prindërit nuk kanë informata të mjaftueshme për vaksinën “MPR””, u shpreh menaxherja e  Dispancerisë për fëmijë - Kumanovë, Valentina Bogoevska-Dimitrievska.
 
Bogoevska, apelon tek prindërit që të besojnë tek sistemi shëndetësor pasi që bëhet fjalë për të mirën e fëmijëve të tyre dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme.
 
“U apeloj prindërve që të kenë besim  tek sistemi shëndetësor dhe personeli mjeksor,  i cili vazhdimisht angazhohet që të kemi numër më të madh të fëmijëve të vaksinuar. Prindërit të cilët nuk po vijnë t’i vaksinojnë fëmijët nuk po mendojnë për problemet dhe pasojat që mund të vijnë nga mos vaksinimi i fëmijëve të tyre”, theksoi d-r Valentina Bogoevska Dimitrievska nga dispanzeri për fëmijë pranë “ISHP Shtëpia e Shëndetit” Kumanovë.
 
Nga “ISHP Shtëpia e Shëndetit” në Kumanovë mendojnë se për momentin po mungon edukimi shëndetësor, andaj vlerësojnë se duhet organizuar tribuna të ndryshme qoftë nëpër shkolla apo edhe institucione shëndetësore, sepse si duket këtu edhe qëndron esenca e mos vaksinimt të fëmijëve, prandaj edhe vaksinimi me “MRR” vaksina në rajonin e Kumanovës është më i ulët në RMV që arrin në mezi 50% dhe paraqet shqetësim më vete.
 
FATLUM AQIFI