Botë

24 vite nga masakra e Reçakut: Vrasja e 45 civilëve të pafajshëm, që troditi botën

15.01.2023 17:03

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit 1999, Reçaku u zgjua i rrethuar...

Forcat serbe  me artileri të rëndë bombarduan fshatin dhe vranë e masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.  Pas Masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi.
 
Mijëra qytetarë u mblodhën në Reçak për të  nderuar 45 viktimat e masakruara nga regjimi i Millosheviqit 24 vjet më parë.  Mes tyre edhe njeriu që e cilësoi I pari si masakër këtë ngjarje, Uilliam Uoker.
 
“Më pëlqen kur shoh fëmijë, shumë, shumë fëmijë. Këtë vit, kur kemi ecur afër varrezave, nuk kam mundur të dalloj se kush janë familjarët e viktimave dhe kush kanë qenë njerëzit që kanë dashur të vijnë për nderim. Kjo, sepse çdo vit shtohet numri i njerëzve që duan të tregojnë respekt për atë që përfaqëson Reçaku”, u shpreh ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker.
 
Autoritetet e kosovës thonë se makineria vrastare e Millosheviqit kreu njërin nga krimet më monstruoze, duke u dëshmuar si regjimi më çnjerëzor kundër një popullate të pafajshme. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për këtë masakër madje e cilëson si fabrikim
 
“Duke qenë të gjithë dëshmitarë e viktima të një regjimi gjenocidal, populli i Kosovës e kupton më thellë se kushdo tjetër vlerën e kujtesës. Prandaj, do ta ngremë zërin kundër gjenocidit gjithandej nëpër botë ashtu siç po bëjmë edhe sot. Reçaku është dhimbja jonë e përhershme, por edhe nevoja për ta ruajtur paqen dhe dinjitetin njerëzor. Nga këtu filloi të marrë formë liria jonë”, theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
“Krimi kundër njerëzimit i kryer në fshatin Reçak të Shtimes më 15 janar të vitit 1999, nuk mund të fshihet dhe as të mohohet. Meritat për ndryshim të qëndrimeve të shteteve më të fuqishme në bashkësinë ndërkombëtare në raport me atë se çfarë bënte Serbia në Kosovë, i ka ambasadori amerikan, Uilliam Ualker.. Ai pati kurajën ta përshkruante atë që pa si masakër”, theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore.Tmerret në Reçak shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të Sllobodan Millosheviç. Pas Reçakut, çështja e Kosovës ishte pjesë e konferencës ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës ndikoi në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
 
MIGENA GORENCA