Botë

Arrestohet Matteo Messina Denaro, bosi më i madh i Cosa Nostra

16.01.2023 10:17

Është arrestuar pas më shumë se 30 vitesh nga shpallja në kërkim, Matteo Messina Denaro..

Është arrestuar pas më shumë se 30 vitesh nga shpallja në kërkim, Matteo Messina Denaro, bosi më i madh i Cosa Nostra. Denaro u arrestua nga karabinierët në një klinikë private në Palermo, ku ishte shtruar për kurim.
 
Denaro konsiderohej si trashëgimtari i “fronit” të Mafias sicialiane, që prej arrestimit të Toto Riina-s në vitin 1993 dhe kalimit në izolim të plotë të mikut të tij, Bernardo Provenzano.
 
Denaro është djali i Don Ciccio-s, bos i degës së Castelvetrano (Trapani), aleat historik i korleonezëve.
 
Ai ishte dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për dhjetëra vrasje, mes të cilave ajo e të voglit Giuseppe di Matteo, djali i një të penduari i cili u shkri në acid, pasi u mbajt peng për dy vite. Ai është dënuar edhe si pjesëmarrës në atentatet që i morën jetën dy prokurorëve më të famshëm të antimafias italiane, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino dhe për disa ngjarje të tjera mafioze.
 
16 janari i vitit 2023 do të mbahet mend si dita që i dha fund arratisë së atij që konsiderohej si bosi i fundit i madh i Cosa Nostra.